(Lajm i përditësuar) Një person është plagosur me armë zjarri të dielën, më 14 dhjetor 2025, në Pejë dhe është trajtuar në Spitalin e Përgjithshëm.
Rasti ishte konfirmuar fillimisht nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.
“Një person është plagosur me armë zjarri në Pejë dhe po trajtohet në spitalin e përgjithshëm, ndërsa është jashtë rrezikut për jetë. Dyshohet se plagosja ka ndodhur aksidentalisht. Një i dyshuar është duke u intervistuar në stacionin policor”, kishte deklaruar Gashi për Peja në Fokus.
Ndërkohë, sot më 15 dhjetor 2025, Policia e Kosovës ka dhënë detaje shtesë në raportin 24-orësh.
“Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Rr. Bill Clinton, Pejë, 14.12.2025 – 19:00. Raportohet se i dyshuari mashkull kosovar, derisa ka manovruar me armë, ka plagosur viktimën mashkull kosovar. Viktima ka pësuar lëndime në këmbë dhe pas trajtimit mjekësor është liruar. Nga i dyshuari është sekuestruar një revole me 13 fishekë dhe një gëzhojë. Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”- thuhet në raportin e Policisë. /Pejanefokus.net/
Peja në Fokus raportoi paraprakisht sonte lidhur me incidentin, përmes rrjetit të saj në Facebook: https://www.facebook.com/share/p/1BFEjDEtYo/
