Peja dhe Ramazani 2026 – Agjërim dhe emocion

Këshilli i Bashkësisë Islame në Pejë ka njoftuar zyrtarisht se muaji i agjërimit, Ramazani 2026, nis të enjten më 19 shkurt – një periudhë reflektimi, lutjeje dhe përkushtimi për besimtarët myslimanë.

Në qendër të qytetit tashmë është vendosur dekori simbolik në formën e hënës me urimin për muajin e shenjtë, iniciativë e këtij institucioni fetar me mbështetjen e xhematit lokal – një pamje që i jep Pejës atmosferën e zakonshme të Ramazanit.

Është publikuar edhe vaktia e kohëve të namazeve, syfyrit dhe iftarit. Ky muaj pritet të ketë 29 ditë, duke përfunduar më 19 mars, ndërsa festa e Fitër Bajramit do të shënohet më 20 mars.

Këshilli lokal i Bashkësisë Islame ka bërë publike edhe aktivitetet zyrtare për këtë muaj. Parashihen namaze të organizuara dhe lexim i përbashkët i Kur’anit për të dy gjinitë në 11 xhami të qytetit, ndërsa namazet e teravive do të falen në të gjitha xhamitë e territorit të Komunës së Pejës, duke nisur dy orë pas iftarit.

Agjërimi është një prej pesë shtyllave të Islamit dhe përfshin mosngrënie ushqimi dhe lëngjesh nga agimi deri në perëndim të diellit, përveç rasteve të përjashtuara si sëmundja, udhëtimi apo mosha e re. Ai synon forcimin e disiplinës personale, durimit, pastrimit shpirtëror dhe afrimit me Zotin.

Gjatë këtij muaji, besimtarët inkurajohen për vepra të mira, ndihmë ndaj të varfërve, falje dhe forcim të lidhjeve familjare e shoqërore. Kujdesi për shëndetin mbetet i rëndësishëm – rekomandohet ushqim i balancuar në syfyr dhe iftar, hidratim i mjaftueshëm dhe aktivitet fizik i moderuar.

Në Pejë, Ramazani nuk është vetëm agjërim. Është pritja e topit të iftarit, radha për samunë e nxehtë me sugjuk, tryeza familjare, çaji e kafeja pas darkës dhe rrugët që gjallërohen drejt xhamive për namazin e teravive.

Një muaj që çdo vit sjell qetësi, solidaritet dhe një ritëm të veçantë në jetën e qytetit./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: