Pejë, 22.12.2025 – Një person ka mbetur i plagosur si pasojë e të shtënave me armë zjarri që janë raportuar sot në lagjen Jarina në Pejë, ndërsa i lënduari është dërguar për trajtim mjekësor dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetë, e i cili është transferuar për në Prishtinë, kurse i dyshuari është në kërkim thonë nga Prokuroria.
“Sot rreth orës 13:50 policia është njoftuar për të shtëna armësh zjarri në lagjen Jarina. Nga ky rast ka rezultuar një i plagosur, ku një person është i lënduar nga arma e zjarrit dhe është dërguar në Emergjencë dhë është duke u trajtuar. Sipas mjekëve kujdestarë është jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa i dyshuari është identifikuar dhe është në kërkim të policisë”- tha për Peja në Fokus, Fadil Gashi, zëdhënës i Policisë së Pejës.

E se i dyshuari është në kërkim të të dyshuarit, kanë thënë edhe nga Prokuroria Themelore e Pejës, përkatësisht, zëdhënësi i saj, Shkodran Nikçi tha:“Me autorizimin e prokurorit të Shtetit për Krime të Rënda, policia po grumbullon prova dhe njëkohësisht është duke punuar për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar”.
E lidhur me gjendjen e të plagosurit janë deklaruar edhe nga Spitali i Përgjithshëm i Pejës.
“Pacienti është stabilizuar nga ekipi mjekësor dhe, pas vlerësimit profesional, është transferuar për trajtim të mëtutjeshëm në Prishtinë. Transferimi është realizuar sipas protokolleve mjekësore, në bashkëpunim me shërbimet përkatëse emergjente, me qëllim ofrimin e kujdesit shëndetësor sa më adekuat për pacientin”- thuhet mes tjerash nga Zyra për Media e spitalit. /Pejanefokus.net.
