Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka njoftuar se faturat e energjisë elektrike për dhjetor janë mbi 70% më të larta krahasuar me muajin paraprak.
Në reagim thuhet se kjo rritje është “e pabesueshme, e pakuptueshme dhe e pajustifikueshme”,
duke përjashtuar rritjen e konsumit për shkak të temperaturave të ngjashme.
KMDLNj vlerëson se kjo përbën “abuzim të drejtpërdrejtë ekonomik dhe rëndon në mënyrë disproporcionale mbi buxhetin e familjeve kosovare”.
Sipas këshillit, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) ka vepruar në dëm të qytetarëve, duke fryrë faturat në kundërshtim me ligjin, ndërsa Qeveria është “bashkëpërgjegjëse dhe pjesëmarrëse në varfërimin e skajshëm të qytetarëve”.
Reagimi përmend blerje energjie me çmime të larta dhe dyshime për korrupsion, përfshirë dhënien e monopolit një shtetasi serb, që sipas KMDLNj-së përbën rrezik serioz ekonomik dhe të sigurisë kombëtare.
Këshilli i bën thirrje Prokurorisë për hetim të plotë të ZRrE-së, licencave dhe kontratave, ndërsa paralajmëron se rritja e re e çmimit në mars 2026 do të përkeqësonte gjendjen ekonomike të qytetarëve.
“Rritja e çmimit të energjisë elektrike pashmangshëm provokon rritjen e çmimeve të të gjithë artikujve dhe shërbimeve”, – thuhet në reagim./Pejanefokus.net
