Rrëshqitje gurësh bllokon qarkullimin në rrugën Pejë – Kuqishtë

Rrëshqitje të gurëve të mëdhenj janë raportuar sot, më 6 janar 2026, në aksin kryesor të rrugës Pejë – Kuqishtë, konkretisht në kilometrin e 10-të, me ç’rast është bllokuar qarkullimi i automjeteve.

Sipas informatave, rrëshqitja dyshohet se ka ardhur si pasojë e reshjeve të vazhdueshme të shiut. Rasti është raportuar për Peja në Fokus nga qytetarë dhe dëshmitarë të rastit, të cilët kanë dërguar edhe pamje nga vendi i ngjarjes.

Në pamje shihen fillimisht disa qytetarë të grumbulluar, të cilët kanë tentuar të largojnë gurët nga rruga, ndërsa më pas në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe punëtorë në uniformë, të pajisur me mjete pune, duke tentuar pastrimin e rrugës.

Lidhur me situatën e krijuar dhe gjendjen e përgjithshme në rrugët e Kosovës, ka reaguar edhe ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi.

“Që nga mbrëmë jemi në gjendje gatishmërie për të menaxhuar sa më mirë reshjet e shiut, të cilat kanë ndikuar edhe në disa nga rrugët tona. Ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po ndërhyjmë kudo që është e mundur për të përmirësuar kushtet e qarkullimit. Megjithatë, na duhet edhe bashkëpunimi juaj, ju lusim të vozitni me kujdes të shtuar dhe t’u përshtateni kushteve të rrugës”, ka shkruar ai në Facebook.

LEXO EDHE: