S’ka pagë të 13-të për punëtorët e ndërmarrjeve publike në Pejë

Punëtorët e ndërmarrjeve publike në Pejë, përfshirë “Hidrodrini”, “Ambienti” dhe “Ekosig”, nuk do të marrin pagën e 13-të, pasi nuk financohen nga buxheti i shtetit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, kishte sqaruar se kjo pagesë u takon vetëm punonjësve që paguhen nga “Thesari”.

“Po, ka pasur reagime nga ana e punëtorëve tanë pse nuk i kanë marr pagat e 13-ta, por ua kemi sqaruar. Me dëshirë edhe unë do ta kisha marr, po kjo është e rregulluar me ligj dhe s’kemi se çfarë të bëjmë”, është shprehur për portalin Peja në Fokus, kryeshefi i “Ekosig”, Esat Abdullahu.

Edhe nga “Ambienti” konfirmojnë pakënaqësitë e punëtorëve.

“Po, kemi pasur ankesa dhe kërkesa prej punëtorëve… kjo nuk është në dorën tonë. E sa i përket asaj se a ish dashur me i marr këto paga, normal që po. Nuk e di kush i meriton më së pari se sa ata që kujdesen për pastërtinë”, ka thënë kryeshefi Diedon Berisha, për portalin Peja në Fokus

Ndërkohë, reagim i ashpër ka ardhur nga Shoqata Sindikale e Punëtorëve të “Hidrodrinit”: “Në baltë e në rrezik çdo ditë – pa pagën e 13-të! Kjo është padrejtësi! Punëtorët e KRU ‘HIDRODRINI’ Sh.A nuk do të marrin pagën e 13-të”, thuhet në reagim.

Ndryshe, punëtorët e këtyre ndërmarrjeve mbesin jashtë kësaj pagese, pavarësisht rolit të tyre të përditshëm në shërbim të qytetarëve./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: