Në kohën kur ngritja e çmimit të naftës, si dhe ngritja e çmimit të biletave për relacionet mes qyteteve është temë dite, Peja është ajo e cila nuk ka bërë ndonjë ndryshim.
Këtë për portalin Peja në Fokus, në një intervistë telefonike e ka sqaruar Shkëlzen Nikçi, kryetar i Shoqatës së Transportuesve për Rajonin e Pejës.
“Sa i përket qytetit të Pejës, koridorit Pejë – Prishtinë, deri më tani nuk kemi bërë ndonjë ngritje të çmimit të biletave.”- është shprehur Nikçi.
“Jo pse nuk kemi pasur arsye. Si përfaqësues i Shoqatës së Transportit për Rajonin e Dukagjinit kam pasur disa takime dhe shumica kanë qenë për ngritje të çmimit, për arsye se nuk mund të operojmë. Edhe është shumë reale e normale që çmimi i biletës ka qenë dasht të ngritet.”- shprehet ai.
“Për hirë të korrektësisë dhe vështirësive dhe standardit me të cilin po ballafaqohen njerëzit, studentët e etj, unë si përfaqësues i operatorëve të transportit për Rajonin e Dukagjinit, sepse edhe vet jam operator, bashkë me të tjerët kemi ardhur në një përfundim, që në këtë moment, e deri sa të kemi mundësi, të mos i ngrisim çmimet.” – thotë tutje Nikçi.
Sipas kryetarit të kësaj shoqate:“Ne do të mundohemi me mjete tona, e me mjete rezervë ndoshta, vetëm që të mos ngrisim çmimet. As për neve nuk është e lehtë. Mirëpo të japim edhe ne çka të mundemi për me kalu këtë sfidë.”
Ndonëse shprehet i zhgenjyer nga mosmbështjetja institucionale, ai shpreson se mos po ndodhë diçka dhe po bien çmimet e naftës, ndonëse deklaron se kanë shpresuar edhe tek Qeveria e Kosovës për uljen e akcizës, apo edhe heqjen e saj, por kjo nuk kishte ndodhur.
“Ne jemi të zhgënjyer fort në shtetin tonë. Jo vetëm tash, edhe në të kaluarën kemi pas nevoja, kur jemi konë në pandemi, transportin ndërurban shteti nuk i ka ndihmu, e as urbano-periferik, por kanë shku e i kanë ndihmu për shembull marketet, barnatoret, pompat etj. Kështu që mbështetjen prej shtetit nuk e patëm prej shtetit, ne si transportues asnjëherë.”- thotë Niçi.
I pyetur për çmimet në relacionet e tjera, si Pejë – Klinë, Pejë – Gjakovë e Pejë – Istog, ai tha: “Unë nuk kam dëgju diçka konkretisht se dikush dikund ka ndryshu çmime sa i përket regjionit të Pejës. Përndryshe kisha me pas ndonjë informacion.”
Pra, deri në këto momente nuk ka ndryshime të çmimeve, ndërsa përpjekjet janë që ato të mos rriten për aq kohë sa operatorët kanë mundësi./Pejanefokus.net.
