Studenti i dalluar nga Istogu që u largua në Gjermani shkak se nuk u punësua

Mungesa e mundësive për punësim dhe zhgënjimi nga institucionet kanë detyruar një student të dalluar nga Istogu që u largua nga Kosova drejt Gjermanisë.

Në emisionin “Diaspora” në Klan Kosova, Ramë Hajraj ka rrëfyer për sfidat që ka hasur për vite me radhë në përpjekje për të gjetur një vend pune në Kosovë, pavarësisht rezultateve të larta gjatë studimeve në Universitetin e Pejës.

“Është e vështirë të konceptohet si çështje, meqenëse është një periudhë mjaft delikate. Largimi nga vendi, pavarësisht se është i dhimbshëm, në një anë përbën përpjekje disa vjeçare ndaj një sistemi që nuk të jep hapësirë. Po flasim për konkurse të përsëritura që nuk kanë rezultate dhe kjo ka qenë një ndër pikat kryesore të zhgënjimit tim ndaj këtij sistemi, meqenëse kërkesa e vetme ka qenë që unë të përfshihem politikisht”, tha ai.

Hajraj theksoi se për të, përfshirja politike si kusht për punësim ishte e papranueshme.

“Unë mendoj që nëse një person nuk dëshiron të shesë identitetin e tij në raport me një subjekt, atëherë është i lirë të vendosë të jetojë jetën e tij pa imponime politike, për të arritur një qëllim të caktuar. Kjo më ka shtyrë të bëj përpjekje të vazhdueshme për disa vite, për të arritur një pozicion, sado të vogël, që do të më ndihmonte në aspektin e studimeve, qoftë edhe një praktikë në universitet. Nuk merrja përgjigje dhe kjo ishte ajo që më pengoi më së shumti”, deklaroi ai.

Pas rreth një dekade përpjekjesh pa rezultat, ai vendosi të largohet nga vendi në kërkim të një jete më të mirë.

“Andaj vendosa të vij në Gjermani, të paktën duke konsideruar se mund të kem një mundësi më të mirë jetese këtu, gjë që e kam bërë gjatë gjithë viteve si student në Kosovë. Po flasim për mbi 10 vite përpjekje për të krijuar një sistem ku meritokracia dhe puna jote vlerësohen. Kur kam ardhur këtu, ka qenë një sfidë e madhe, duke filluar nga gjuha, pasi në punët e zakonshme nuk e kam pasur gjuhën si avantazh kryesor”, tha ai ndër të tjera.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, vetëm në periudhën 2021–2024, mbi 142 mijë qytetarë janë larguar nga Kosova drejt vendeve më të zhvilluara në kërkim të një jete më të mirë./Pejanefokus.net/

LEXO EDHE: