Prokuroria Themelore e Pejës ka vendosur trajtimin e rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve si prioritet kryesor dhe ka mbajtur sot një takim me mediat lokale dhe qendrore për të prezantuar statistikat, masat e ndërmarra dhe nevojën për bashkëpunim të vazhdueshëm.
Kryeprokurorja Lumturie Vuçetaj, në një takim të mbajtur në fund të tetorit 2025 theksoi rëndësinë e rolit të mediave si partnerë të Prokurorisë dhe si “pushteti i katërt” në shoqëri, duke bërë thirrje që gazetarët të mos heshtin dhe të raportojnë çdo sulm ndaj tyre.
Ajo shtoi se roli i mediave është vendimtar për transparencën e punës së institucionit dhe për sigurimin që kryerësit e veprave penale të marrin dënimin e merituar.
Prokurorja Sadije Muriqi, koordinatore për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve, prezantoi të dhënat nga statistikat zyrtare për rajonin e Pejës.
Ajo bëri të ditur se gjatë vitit 2024 janë regjistruar tre raste zyrtare të sulmeve ndaj gazetarëve në kuadër të kompetencës territoriale të Prokurorisë; një prej tyre ka përfunduar me vendim gjyqësor në Gjykatën Themelore në Pejë, ndërsa dy të tjera janë ende në shqyrtim gjyqësor.
Jehona Hulaj nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) shtoi se për rajonin e Pejës janë shënuar së paku gjashtë reagime për sulmet ndaj gazetarëve, që kanë tërhequr vëmendje të mediave dhe komunitetit.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, tha se rastet trajtohen me prioritet dhe shpejtësi maksimale, duke ftuar mediat dhe qytetarët për bashkëpunim të vazhdueshëm.
Ai vuri në dukje se çdo raportim ndihmon Prokurorinë që të veprojë me shpejtësi dhe të sigurojë drejtësi për gazetarët.
Në takim morën pjesë përfaqësues të mediave lokale dhe qendrore, përfshirë Fitim Behlulin nga “Radio 1”, Rustem Gërgurin nga “Radio Peja” dhe Valdrin Dacin nga portali “Peja në Fokus”, të cilët falënderuan Prokurorinë për angazhimin dhe përkujdesjen ndaj gazetarëve.
Takimi theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes mediave dhe institucioneve ligjzbatuese për të garantuar sigurinë e gazetarëve dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes, si dhe për të siguruar që çdo sulm ndaj profesionit të raportohet dhe ndiqet ligjërisht./Pejanefokus
