Tensione politike pas zgjedhjes së Kryesuesit në Junik

Është mbajtur mbledhja e Kuvendit Komunal të Junikut, ku pikë e rendit të ditës ishte zgjedhja e Kryesuesit të Kuvendit Komunal, me këtë rast, grupi i asambleistëve të LDK-së propozoi për këtë pozitë Shpejtim Gacaferin, ndërsa grupi i asambleistëve të AAK-së propozoi Leonard Llollunin.

Gjatë procesit të votimit në seancën e 12 janarit 2026 në Junik, propozimi i AAK-së u mbështet edhe nga dy asambleistë të Lëvizjes Vetëvendosje, çka ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin final, e si rezultat, Leonard Llolluni mori 8 vota, ndërsa kandidati i LDK-së, Shpejtim Gacaferi, mori 7 vota.

Pas votimit, Komuna e Junikut reagoi përmes një komunikate, ku adresoi kritika politike ndaj kryetarit të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Junik.

“Një veprim i tillë, i papërgjegjshëm dhe politikisht i pajustifikueshëm, e shndërron z. Jetmir Tofaj në mbështetës të drejtpërdrejtë të agjendës së AAK-së në Junik”, thuhet në komunikatë.

Më tej, në të njëjtin reagim theksohet se mbështetja është dhënë “pa asnjë konsultim paraprak me strukturat apo me elektoratin që ai pretendon se përfaqëson”.

Komuna e Junikut aktualisht drejtohet nga kryetari Ruzhdi Shehu, i cili vjen nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK).

Pavarësisht kritikave, në fund të komunikatës Komuna ka uruar Leonard Llollunin për zgjedhjen si Kryesues të Kuvendit Komunal.

“Shprehim gatishmërinë tonë për bashkëpunim institucional, gjithmonë në funksion të interesit publik dhe të mirëqenies së të gjithë qytetarëve të Junikut”, thuhet më tej në komunikatë./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: