Zjarr në një shkollë të Deçanit – intervenuan zjarrfikësit

Njësitë e zjarrfikësve intervenuan mbrëmë, në Shkollën Fillore “Sylejman Vokshi” në Deçan, pas një incidenti me zjarr, ku ishin përfshirë drutë për ngrohje të objektit.

Shkaku i zjarrit ende nuk është i qartë, ndërsa Policia e Kosovës po heton rastin sipas procedurave ligjore.

Drejtori i Arsimit në Deçan, Besnik Hulaj, njoftoi se: “Sot, rreth orës 02:00 të mëngjesit, Drejtoria Komunale e Arsimit është njoftuar nga drejtori i shkollës për një incident zjarri, ku ka qenë e nevojshme ndërhyrja e njësive të zjarrfikësve për shuarjen e tij. Procesi mësimor do të vazhdojë pa ndërprerje, pasi shkolla është e pajisur edhe me kondicionerë për ngrohje. Po ashtu, do të bëhet furnizimi i menjëhershëm me dru për ngrohje. Falënderojmë zjarrfikësit, Policinë e Kosovës dhe të gjithë të angazhuarit për reagimin e shpejtë dhe profesional.”

Autoritetet lokale theksuan se reagimi i shpejtë i ekipit të zjarrfikësve dhe Policisë ka parandaluar përhapjen e zjarrit dhe ka siguruar që procesi mësimor të vazhdojë pa probleme./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: