Heronjët si Ahmet Gjikolli nga Peja kanë vetëm ditëlindje 

Ahmet Gjikolli, i njohur si “Zhuti”, lindi më 19.02.1980 në Pejë, nga një familje punëtore dhe e ndershme.

Ai ra heroikisht më 7 maj 1999, në kodrën e Çabratit në Gjakovë, në përballje të drejtpërdrejtë me forcat serbe, në luftimet e ashpra që u zhvilluan ballë për ballë, në distancë prej vetëm 5 deri në 7 metra.

Me rënien e tij, ai u radhit në mesin e 183 dëshmorëve të Komunës së Pejës në luftën e fundit me Serbinë.

Në ditëlindjen e tij, e kujton vëllai, Agoni, me këto fjalë:

“Sot do të ishin 46 pranvera të jetës sate, i dashur vëlla.

Edhe pse mungesa jote dhemb çdo ditë, krenaria për ty jeton në çdo frymëmarrje tonën.

Ti nuk je vetëm kujtim — je shembull, je rrugë, je fjalë që na mban drejt edhe kur lodhemi.

Sakrifica jote na mësoi çfarë do të thotë dashuria për familjen, për tokën dhe për lirinë.

Urime ditëlindjen në amshim,

Ahmet Ferid Gjikolli

Lavdia jote nuk plaket kurrë.

Ne jetojmë me emrin tënd në zemër dhe me krenarinë që ishe vëllai ynë.

Pusho i qetë — kujtimi yt është përjetësi.”

Nderim jetës dhe veprës së tij./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: