Me rastin e 21 Shkurtit – Ditës Ndërkombëtare të Gjuhës Amtare, Biblioteka “Azem Shkreli” në Pejë organizon aktivitetin kulturor dhe reflektues me titull “Gjuha ime – kujtesa ime”.
Aktiviteti ka karakter edukativ dhe pjesëmarrës dhe synon promovimin e gjuhës shqipe si vlerë identitare, kulturore dhe emocionale, duke inkurajuar qytetarët të reflektojnë mbi rëndësinë e fjalës në kujtesën dhe përvojën e tyre jetësore.
Në kuadër të këtij organizimi, pjesëmarrësit do të ftohen të shkruajnë 1–3 fjali për një fjalë të gjuhës shqipe që ka kuptim të veçantë për ta. Kontributet do të vendosen në murin simbolik “Fjalët që na mbajnë gjallë”, ndërsa disa prej tyre do të lexohen publikisht në mënyrë anonime.
Aktiviteti do të mbahet më 20 shkurt 2026, në ora 13:00, në ambientet e bibliotekës, me pjesëmarrjen e nxënësve, lexuesve dhe qytetarëve.
Drejtoresha e bibliotekës, Shengyl Kelmendi Gashi, tha se qëllimi i këtij aktiviteti është forcimi i rolit të bibliotekës si hapësirë kulturore dhe komunitare.
“Gjuha është kujtesa jonë kolektive. Përmes këtij aktiviteti duam t’i rikujtojmë vetes se çdo fjalë që ruajmë e kultivojmë është një pjesë e identitetit tonë që jeton,” u shpreh ajo për portalit ‘Pejanefokus’.
Sipas organizatorëve, aktiviteti synon gjithashtu ndërgjegjësimin për ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës amtare si pasuri e përbashkët./Pejanefokus.net.
