Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka arrestuar një zyrtar policor në Pejë nën dyshimin se ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.
Sipas komunikatës zyrtare të IPK-së, mbrëmë janë marrë informacione se një zyrtar policor, jashtë detyrës zyrtare, në Pejë dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
“Menjëherë pas pranimit të informacionit, hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së i janë përgjigjur thirrjes dhe kanë intervistuar viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e tij. Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor, me vendim të prokurorit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar”, njofton IPK.
Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë ndërmarrjen e veprimeve të tjera hetimore me qëllim të ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që lidhen me këtë rast në Pejë./Pejanefokus.net.
