Partia e ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova, LDK-ja, do të mbajë Kuvendin e saj Qendror më 31 janar, e për këtë, edhe niveli lokal i saj në Pejë, në krye me Gazmend Muhaxherin, ditë më parë ka mbajtur mbledhjen e Kryesisë, ku është diskutuar edhe votëbesimi për kryetarin aktual, Lumir Abdixhiku.

Siç ka raportuar edhe Peja në Fokus, shumica e Kryesisë së kësaj dege ka shprehur mbështetje për Abdixhikun dhe vazhdimin e udhëheqjes së tij.
https://pejanefokus.net/ldk-e-pejes-nuk-do-ndryshim-abdixhiku-mbetet-zgjedhja/
Por nuk është e njëjta gjë për të gjithë.
Ish-kryeministri Avdullah Hoti, i cili ka shprehur gatishmërinë t’i hyjë garës për kryetar të partisë, ka deklaruar në emisionin “Rubikon” me Adriatik Kelmendin se do të shkojë në këtë kuvend për të shpallur kandidaturën e tij.
Ai shtoi: “Kryetari i LDK-së (Lumir Abdixhiku) ka njoftuar për dorëheqjen e tij. Dorëheqja e tij zyrtarizohet në Kuvendin e LDK-së. Ai e ka ftuar Kuvendin më 31 janar.”
I pyetur nëse, në rast se Abdixhiku nuk e paraqet dorëheqjen, mund të shkohet në mocion votëbesimi, Hoti tha se: “Fjala publike për zyrtarin publik është ligj”, duke cituar nenin 27 të Statutit të LDK-së.
Ai shtoi se dorëheqja e kryetarit hap garën për udhëheqësinë e partisë.
I pyetur edhe për qëndrimin e LDK-së së Pejës, Hoti ka komentuar edhe mbështetjen e saj për Abdixhikun, duke thënë: “Nuk është e rëndësishme. Është opinion i tyre. O le degën e Pejës çka thotë.”
Ai e ka krahasuar situatën aktuale me vitin 2021, kur u dorëhoq Isa Mustafa nga pozita e kryetarit.
Ndryshe, vlenë të theksohet se historikisht, kalimi në një stad tjetër për LDK-në nuk ka qenë i lehtë.
Në vitin 2006, partia mbajti Kuvendin e njohur si “Kuvendi i Karrigeve”, ku për shkak të tensioneve dhe përplasjeve fizike mes mbështetësve të Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit, disa karrige fluturuan, ndërsa disa fytyra u lënduan.
Pas kësaj ngjarjeje, Nexhat Daci formoi partinë e tij, Lidhja Demokratike e Dardanisë, e cila pati sukses të shkurtër, para se shumë individë të ktheheshin tek LDK-ja.
Sot, LDK-ja po përballet me një situatë tjetër: dorëheqja e Abdixhikut, kandidatura e Hotit dhe mbështetja lokale për kryesinë, duke shënuar një moment të ri për këtë parti historike./Pejanefokus.net.
