Më 20 shkurt 2026, portali Peja në Fokus publikoi artikullin mbi mbledhjen e Komitetit Konsultativ për Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Pejës, me fokus legjitimitetin e këtij komiteti.
Artikulli ka shkaktuar debate dhe reagime zyrtare mes zyrtarëve të dy institucioneve lokale, nga nivelet e ndryshme të Komunës së Pejës.
Artikullin e gjeni në link: https://pejanefokus.net/2821-2/
Ishte fillimisht shefi i Zyrës Ligjore në Komunën e Pejës, Pandeli Rugova, i cili reagoi në postimin e Komunës, duke e cilësuar mbledhjen dhe të kaluarat si të jashtëligjshme:
“Kjo mbledhje dhe ajo më hershme është kundërshtim me dispozitat ligjore të LVQL-së dhe Statutit të Komunës… veprimtaria e këtij Komiteti është kundërligjëshe.”- deklaroi mes tjerash ai.
Nga ana tjetër, pasi lajmi mbi kontestimin e këtij komiteti ishte publikuar nga portali Peja në Fokus, ka pasuar reagimi i sekretarit të Kuvendit të Komunës, Avni Gashi, ndaj shefit të Zyrës Ligjore.
“Komentuesi me tutje ka theksuar se mandate i tyre lidhet me mandatin e anëtareve të Kuvendit të Komunës. Dhe si shkas i atij komenti të njejtën të pavertetë e kan shprenda edhe portalet lokale. Kjo nuk është fare e vërtetë”- thotë sekretari Gashi.
Sipas tij, këto komitete konsultative të themeluara në Korrik të vitit 2023 kanë mandate 4 vjeqar, duke cituar nenin 9, paragrafi 1 i UA (MAPL) Nr.01/2016 Për Procedurën e Themelimit, Organizimin dhe Kompetencat e Komiteteve Konsultative në Komunat, si dhe Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale.
“Këtu fatkeqësia qendron se këtë koment të pavertetë e ka shkruar Shefi i Zyrës Ligjore në Komunën e Pejës”- përfundon Gashi.
Ndryshe, ky artikull i Peja në Fokus nxjerr në pah mosmarrëveshjet brenda institucioneve lokale, tensionet dhe debatet mbi legjitimitetin dhe funksionimin e komiteteve konsultative në menaxhimin e mjedisit në Pejë./Pejanefokus.net.
