Pas vendimit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për ndalimin e aktiviteteve ndërtimore pa leje brenda Parqeve Kombëtare “Bjeshkët e Nemuna” dhe “Sharri”, banorët e Rugovës kishin shprehur shqetësime se nuk mund të dërgonin materiale për riparimin e pronave të tyre.
Ata madje paralajmëruan një protestë dhe i kishin dërguar letrën ministres Fitore Pacolli. Sot, ministrja ka reaguar duke dhënë qartësisht sqarime.
Në përgjigjen e saj, ministrja Pacolli mes tjerash thotë:
https://www.facebook.com/share/p/1CWGFMBZMK/
“Po ashtu, ne kemi marrë parasysh shqetësimin tuaj se ky vendim mund të pengojë riparimet e domosdoshme në shtëpitë apo objektet ekzistuese, siç është ndërrimi i dritareve apo dyerve. Tashmë ne, si Ministri, kemi marrë masa që kërkesat për transport të materialeve ndërtimore brenda parqeve kombëtare, e sidomos kur bëhet fjalë për mirëmbajtjen e shtëpive ekzistuese, të shqyrtohen në afatin sa më të shkurtër të mundshëm, që ju si banorë të zonës të mos keni pengesa administrative në kryerjen e punëve tuaja ditore.”
Ministrja ka theksuar se vonesat e lejeve për ndërtim kanë ardhur si pasojë e qeverive të kaluara dhe komunave përkatëse. Në këtë kontekst, ajo ka përmendur edhe Komunën e Pejës:
“Ndërsa vonesat tjera të paarsyeshme janë shkaktuar edhe nga komunat përkatëse, në rastin tuaj, Komuna e Pejës, në hartimin dhe miratimin e Planeve Rregulluese brenda këtyre zonave, të cilat do të ndikonin në rregullimin e infrastrukturës bazike, siç është mungesa e qasjes në rrugë dhe shërbimet bazë.”
Pacolli sqaroi se Plani Hapësinor dhe Plani i Menaxhimit i Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” nuk kanë për qëllim të bllokojnë zhvillimin:
“Si të tilla, ato nuk kanë për qëllim dhe as nuk shkaktojnë bllokim apo ndalim të zhvillimit, siç mund të jetë perceptuar në disa raste. Përkundrazi, synimi i tyre është vendosja e rendit dhe rregullit, duke mundësuar një zhvillim të kontrolluar që harmonizon në mënyrë efektive nevojën për ruajtje të natyrës me atë për zhvillim.”
Ministrja garanton se të gjitha proceset do të përshpejtohen dhe se riparimet e shtëpive ekzistuese nuk do të pengohen:
“Zhvillimi dhe ndërtimi i pajisur me leje brenda zonave të treta ka qenë dhe mbetet i mundur, me kusht që të respektohen të gjitha procedurat përkatëse ligjore për pajisje me leje.”/Pejanefokus.net.
Kliko lajmin paraprak rreth ngjarjes: https://pejanefokus.net/ndalohet-ndertimi-ilegal-ne-bjeshket-e-nemuna-reagojne-banoret/
