Një aksident trafiku me fatalitet ka ndodhur në mëngjesin e së shtunës, më 7 shkurt 2026, në një nga rrugët e njohura të fshatit Loxhë në Pejë, ku si pasojë e lëndimeve të marra, ka ndërruar jetë një femër, vozitëse e njërës prej veturave të përfshira në këtë rast, ndërsa lëndime trupore ka pësuar vozitësi i veturës tjetër.
Lidhur me rastin janë deklaruar nga Policia e Kosovës, nga ku kanë dhënë disa detaje.
“Dy vetura me targa vendore janë përfshirë në aksident trafiku. Si pasojë e lëndimeve të marra, ka ndërruar jetë një femër kosovare, drejtuese e njërës veturë, ndërsa lëndime trupore ka pësuar një mashkull kosovar, drejtues i veturës tjetër, i cili dyshohet të jetë shkaktar i aksidentit. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për autopsi, ndërsa ndaj të dyshuarit është shqiptuar masa e ndalimit policor”, thuhet në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës.
LIDHUR ME RASTIN DETAJE NË LINK: https://pejanefokus.net/nje-femer-humb-jeten-nga-aksidenti-ne-loxhe-te-pejes/
Nga ana tjetër, duke folur për aksidentet që po ndodhin në Kosovë, eksperti i Sigurisë Nol Deda e ka komentuar edhe këtë aksident, ndërsa për rrugën ku ka ndodhur ngjarja në fjalë e ka cilësuar si rrugë me pikë të zezë.
“E përmendet rastin e Loxhës, aty do të ndalem pak, meqënese jam marr me problemet e asaj rruge. Në disa raste të cilat kanë pasur edhe fatalitete, por edhe jo fatalitete, aty rruga është e ngushtë dhe ne atë e konsiderojmë se është pikë e zezë. Pra shpejtësia e kufizuar nuk është adekuate për qarkullimin e automjeteve dhe pikërisht e vetmja rrugë është lokale që ka aksidente më së shumti dhe më të shpeshta që sjellin edhe deri tek rastet sikur e pamë edhe dje, që ka përfunduar me fatalitet”- tha Nol Deda, në deklarimin e tij për emisionin “Ora 7” në Klan Kosova.
Shpjegim: Në komunikacion, “pikë e zezë” quhet një segment i rrugës ku aksidentet ndodhin më shpesh se normalja, për shkak të faktorëve si gjerësia e ngushtë e rrugës, shpejtësia jo adekuate, vizibiliteti i dobët ose kushtet e këqija të qarkullimit. Këto vende zakonisht monitorohen nga autoritetet për të parandaluar aksidente të reja.
Ndryshe, gjatë kësaj fundjave janë raportuar së paku 4 viktima nga aksidente të ndryshme, ku dy prej tyre ishin me fatalitet e njëri ndodhi në fshatin Loxhë të Pejës./Pejanefokus.net.
