Si të përdorim ëmbëlsuesit artificialë – flet Dr. Teuta Mulla-Goga

Përdorimi i ëmbëlsuesve artificialë është rritur ndjeshëm vitet e fundit, veçanërisht si zëvendësues i sheqerit tek personat që synojnë të kontrollojnë peshën trupore ose nivelin e sheqerit në gjak.

Për këtë temë, Peja në Fokus ka marrë përgjigje profesionale nga endokrinologia Dr. Teuta Mulla-Goga.

Sipas saj, disa ëmbëlsues artificialë janë të aprovuar dhe konsiderohen të sigurt për konsum, nëse përdoren brenda kufijve të rekomanduar.

“Sipas të dhënave shkencore aktuale dhe vlerësimeve të FDA-së, disa ëmbëlsues jo-kalorikë si aspartami, sukraloza, sakarina, acesulfame-K, neotami, advantami dhe glikozidet e steviolit janë të aprovuar për përdorim dhe konsiderohen të sigurt kur konsumohen brenda kufijve të lejuar,” thekson Dr. Mulla-Goga.

Ajo sqaron se siguria e këtyre produkteve vlerësohet përmes analizave të shumta shkencore, ndërsa për secilin përcaktohet kufiri maksimal ditor i quajtur “Acceptable Daily Intake – ADI”.

Duke folur për personat me diabet dhe çrregullime metabolike, Dr. Mulla-Goga thotë se ëmbëlsuesit artificialë mund të jenë alternativë e dobishme ndaj sheqerit.

“Ata nuk rrisin drejtpërdrejt nivelin e glukozës në gjak dhe mund të ndihmojnë në kontrollin e kalorive dhe menaxhimin e peshës trupore. Megjithatë, përdorimi duhet të jetë i moderuar dhe i individualizuar,” vlerëson ajo.

Sa i përket kufijve të konsumit, FDA ka përcaktuar sasi të sigurta ditore për disa nga ëmbëlsuesit më të përdorur, si aspartami, sukraloza, sakarina, acesulfame-K dhe stevia, ndërsa në praktikë shumica e njerëzve konsumojnë sasi më të ulëta se këto kufij.

Endokrinologia paralajmëron se, edhe pse përgjithësisht tolerohen mirë, tek disa persona mund të shfaqen shqetësime gastrointestinale, ndërsa aspartami duhet të shmanget nga personat me fenilketonuri.

“Organizata Botërore e Shëndetësisë thekson se ëmbëlsuesit artificialë nuk duhet të përdoren si strategji kryesore për humbje peshe afatgjatë, por si pjesë e një qasjeje më të gjerë që përfshin ushqyerje të balancuar dhe aktivitet fizik,” shton ajo.

Në fund, Dr. Mulla-Goga jep një mesazh të qartë për publikun:“Ëmbëlsuesit artificialë mund të jenë alternativë e dobishme për reduktimin e sheqerit, veçanërisht tek personat me diabet ose rrezik metabolik, por ata nuk zëvendësojnë një stil jetese të shëndetshëm.” /N’FokusPlus/Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: