Sot në Qendrën Korrektuese të Dubravës është parandaluar një tentativë për futjen e kontrabandës, ku i përfshirë dyshohet të ketë qenë një zyrtar korrektues.
Sipas njoftimit, pas informacioneve të pranuara nga institucionet e sigurisë, gjatë kontrollit në hyrje është ndaluar zyrtari korrektues me inicialet S.D., tek i cili janë gjetur të fshehura substanca të dyshuara narkotike, të cilat dyshohet se kishte për qëllim t’i fusë brenda institucionit.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës ka ndërmarrë masa të menjëhershme disiplinore ndaj zyrtarit në fjalë, duke e suspenduar atë nga detyra,” thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Për rastin janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe rasti është duke u trajtuar nga organet kompetente.
Vendimi për pezullim është marrë nga Komisioni Disiplinor i SHKK-së dhe masa mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër.
SHKK ka theksuar se mbetet e përkushtuar në parandalimin e dukurive të tilla dhe se do të veprojë në përputhje me ligjin ndaj çdo rasti që rrezikon sigurinë dhe integritetin e institucioneve korrektuese./Pejanefokus.net.
