Granit Villa, udhëheqës i stafit në Ambulancat Specialistike të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë, ka bërë një përmbledhje të punës së tij gjatë një viti në këtë detyrë, duke ndarë me publikun arritjet dhe projektet e realizuara.
“Një përmbledhje e afër një viti pune në detyrën time si udhëheqës i stafit në Ambulancat Specialistike të Spitalit të Përgjithshëm në Pejë. Më 2 maj 2025, mora besimin për këtë përgjegjësi nga Drejtori Ekzekutiv, Dr. Fahri Hasani. Këtë detyrë e kam trajtuar dhe e trajtoj me përgjegjësi të lartë, seriozitet dhe përkushtim të vazhdueshëm, me synimin e qartë për të krijuar kushte sa më të mira për stafin dhe për të ngritur cilësinë e shërbimeve për pacientët tanë.”- shkruan Villa.
Udhëheqja si proces i vazhdueshëm
“Udhëheqja nuk është vetëm administrim i përditshëm, por një proces i vazhdueshëm përmirësimi, ndërtimi dhe besimi. Është përpjekje për të sjellë rend, funksionalitet dhe dinjitet në çdo hap të punës sonë. Pa pretenduar përsosmëri, jemi angazhuar dhe angazhohemi që çdo vendim dhe çdo veprim të jetë në funksion të avancimit të institucionit dhe mirëqenies së qytetarëve.”- pohon ai.
Hapat konkretë gjatë një viti
Në bashkëpunim me Drejtorin Ekzekutiv Dr. Fahri Hasani dhe Shefen e personelit të Mjekëve Specialistë, Dr. Iliriana Berisha, janë ndërmarrë hapa konkretë për riorganizimin dhe përmirësimin e Ambulancave Specialistike.
“Gjatë këtij viti, kemi ndërmarrë hapa konkretë për riorganizimin dhe përmirësimin e Ambulancave Specialistike, duke synuar që ato të jenë më funksionale, më të rregulluara dhe më të përshtatshme si për stafin, ashtu edhe për pacientët.”- thotë Villa.
Partnerët vendore kanë dhuruar mbështetje të çmuar:
– Kompania Dukagjini, pronar z. Ekrem Lluka – donacion 10 kondicionerë
– Kompania Elkos (ETC), pronar z. Ramiz Kelmendi – donacion 6 kondicionerë
– Ujë Rugove, drejtor marketingu z. Defrim Puka – furnizim me ujë të pijshëm dhe 10 mekanizma uji
– Kompania Top Reklama, pronar z. Dardan Lluka – mbështetje me 2 reklama 2D informuese
Sipas tij është arritur bashkëpunim me organizatën Turke TIKA për renovimin e plotë të katit të parë të Ambulancave Specialistike, projekt i cili pritet të fillojë së shpejti.
“Sollem dhe vendosëm në funksion aparaturën EMNG në specialitik për shërbime neurologjike, duke avancuar ndjeshëm diagnostikimin dhe cilësinë e kujdesit për pacientët.”- deklaron më tej.
Rihapja e kabinetit të ehosonografisë dhe ardhja e dy radiologëve të rinj, Dr. Ramë H. Ramaj dhe Dr. Veton Kurti, ka fuqizuar kapacitetin dhe shërbimet për pacientët.
Mesazhi për stafin dhe qytetarët
“Të gjitha këto janë arritje të një periudhe rreth njëvjeçare, por mbi të gjitha janë dëshmi se kur ka vullnet dhe bashkëpunim, rezultatet nuk mungojnë. Megjithatë, kjo nuk është pika e fundit – është vetëm një hap i qëndrueshëm drejt një rrugëtimi më të gjatë.”- shprehet Villa.
Granit Villa siguron se projekti vazhdon me iniciativa të reja, me qëllim që çdo pacient të marrë shërbim dinjitoz, cilësor dhe në kohën e duhur.
“Sepse besimi i qytetarëve ndërtohet çdo ditë, me punë, me përgjegjësi dhe me rezultate. Mirënjohje e veçantë për stafin e Ambulancave Specialistike për përkushtimin, profesionalizmin dhe punën e palodhshme që bëjnë çdo ditë në shërbim të pacientëve. Nuk matet puna me fjalë, por me gjurmët që lë pas. Udhëheqësi i vërtetë nuk premton, ai vepron, dhe gjurmët e tij mbeten dëshmi për të ardhmen.”- përfundon ai./Pejanefokus.net.
