Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje nga Peja, Fatmire Kollçaku, është kandidate e dytë për postin e Presidentes së Kosovës, pas Glauk Konjufcës.
Nomimin për Kollçakun e ka dorëzuar zyrtarisht Lëvizja Vetëvendosje te Kryesia e Kuvendit.
Në dokument, shefja e deputetëve, Arbërie Nagavci, thekson se lista e nënshkrimeve dhe dokumentacioni i nevojshëm janë bashkëngjitur për procedim sipas rregullave kushtetuese.
Kosova ka hyrë në ditën kyçe për zgjedhjen e presidentit të ri, ku deri tani nuk ka një marrëveshje politike për emrin që do të marrë postin e kreut të shtetit.
Takimet ndërmjet liderëve politikë, duke përfshirë kryeministrin Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, dhe kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk kanë siguruar konsensus.
Mandati i presidentes aktuale, Vjosa Osmani, skadon më 4 prill, por Kuvendi duhet të votojë për presidentin e ri më së largu deri më 5 mars në mesnatë.
LVV ka propozuar së fundmi Glauk Konjufcën si kandidat, ndërsa Fatmire Kollçaku vjen si nominim i dytë.
Sipas Kushtetutës, nëse zgjedhja dështon në tri raunde votimi, vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar mendim nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës për procedurën./Pejanefokus.net.
