Një e mitur ka pësuar lëndime të rënda trupore, pasi ka rënë nga terasa e një banese në katin e gjashtë, në lagjen “Fidanishte” në Pejë.
Ngjarja ka ndodhur ne mesnatën e së martës, 25 gusht 2026, e rasti fillimisht ishte raportuar nga Peja në Fokus në rrjetet sociale. Pas raportimit, redaksia ka nisur pyetje tek institucionet kompetente për të marrë versionin zyrtar lidhur me ngjarjen.
Nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë, përmes Zyrës për Media, kanë konfirmuar: “Të nderuar, Konfirmojmë se pacientja është pranuar në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Pejë dhe, pas trajtimit dhe vlerësimit mjekësor, është transferuar për trajtim të mëtejshëm në QKUK në Prishtinë.”
Ndërkohë, zëdhënësi i Policisë së Pejës, Driton Rugova, ka dhënë detaje për rastin:”Sot rreth orës 00:50, Policia është njoftuar për një rast i cili ka ndodhur rrugen ‘Myrvete Maksutaj’ në Pejë, aty e mitura ka rënë nga terasa e banesës (kati i 6-të), Policia menjëherë ka dalë ne vendin e ngjarjës, e lënduara është dërguar në Spitalin rajonal në Pejë, e më pas në QKUK-Prishtinë, hetuesit e Sektorit Rajonal për Hetime DRP-Pejë, janë duke hetuar se si ka ardhur deri te ky rast”- tha në përgjigjen e tij për Peja në Fokus, Driton Rugova, zëdhënës i Policisë së Pejës.
Rrethanat e sakta të ngjarjes ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa hetimet nga Policia janë në vazhdim. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
