Kontrata për renovimin e pjesshëm të palestrës “Karagaqi” në Pejë është nënshkruar më 21 korrik 2026, teksa punimet parashihet të zgjasin pesë muaj, ndërsa në njoftim nuk bëhet e ditur data e saktë e nisjes së tyre.
Në dokumentin e publikuar bëhet e ditur se Ministria e Sportit dhe Rinisë ka nënshkruar kontratën me grupin e operatorëve ekonomikë NBT-ING SH.P.K. dhe EURO CONSTRUCTION NNP SH.P.K., në vlerë prej 275,251.60 euro.
Projekti përfshin renovimin e pjesshëm të palestrës, sipas dokumentacionit teknik dhe projektit të detajuar të arkitekturës dhe inxhinierisë, me punimet që duhet të jenë në përputhje edhe me standardet dhe pajisjet e aprovuara nga FIBA.
Kontrata financohet nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës dhe ka afat realizimi pesë muaj. /Pejanefokus.net/Sport
