Pejë: Mbi 134 mijë euro për një veshkë që s’u transplantua

Një rast i pazakontë është zbuluar në Lubeniq të Pejës, ku dy persona akuzohen për mashtrimin e një qytetari me premtimin për transplantim të veshkës.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Pejë, njëri prej të pandehurve dyshohet se është paraqitur rrejshëm si mjek në specializim në një spital në Turqi dhe i ka marrë të dëmtuarit 134 mijë e 761 euro, kinse për shpenzime spitalore dhe procedura të transplantimit.

Sipas Prokurorisë, ai dyshohet se ka përdorur edhe të dhëna, dokumente dhe emra të mjekëve të një spitali në Turqi, për ta bindur të dëmtuarin se transplantimi do të realizohej.

Ndërkaq, i pandehuri i dytë dyshohet se e ka ndihmuar duke e prezantuar atë si mjek dhe duke krijuar besim te i dëmtuari.

Në rast, sipas aktakuzës, është përfshirë edhe një person tjetër që dyshohet se është paraqitur si dhurues i veshkës. Për këtë person, procedura penale është veçuar.

Peja në Fokus ka mësuar nga burimet e veta se i dëmtuari është zyrtar policor, ndërsa dy të pandehurit janë shtetas të Kosovës. Personi ndaj të cilit është veçuar procedura dyshohet të jetë shtetas turk.

Rasti dyshohet se ka ndodhur nga 26 maji 2021 deri më 29 shtator 2023, ndërsa Prokuroria ka kërkuar që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit./Pejanefokus.net/JU flet Peja/

LEXO EDHE: