Pacienti kronik ka nevojë për vazhdimësi të kujdesit

Dr. Shkumbin Berisha

Drejtor Mjekësor, Spitali i Përgjithshëm i Pejës

Për pacientin me sëmundje kronike, ardhja në spital nuk është vetëm vizita e radhës. Ajo ardhje shoqërohet nga vite me hipertension, diabet, sëmundje të zemrës apo probleme të tjera shëndetësore, ndonjëherë disa prej tyre njëkohësisht. Pacienti mund të vijë për shkak të përkeqësimit të papritur, por mënyra se si kujdesemi për të, nga momenti kur pranohet deri kur kthehet në shtëpi, ka rëndësi edhe për atë që do të ndodhë më vonë.

Prandaj, nuk mjafton të pyesim nëse pacienti është trajtuar dhe stabilizuar, por duhet edhe të mendojmë edhe se çfarë e pret pasi të dalë nga spitali.

Rrugëtimi që nuk fillon dhe nuk përfundon në spital

Me rritjen e moshës mesatare të popullsisë, por edhe me paraqitjen e sëmundjeve kronike në mosha gjithnjë e më të reja, ne si profesionistë shëndetësorë po përballemi çdo ditë me pacientë që kanë nevojë për kujdes afatgjatë.

Rrugëtimi i tyre mund të fillojë te mjeku familjar, në ambulancën specialistike apo në urgjencë. Në spital vazhdon me vlerësimin e gjendjes, ekzaminimet, diagnostikimin, konsultat me specialistët dhe trajtimin. Por një pjesë po aq e rëndësishme fillon pasi pacienti largohet: terapia në shtëpi, kontrollet e rregullta, ushqimi, aktiviteti fizik dhe përcjellja e gjendjes së tij.

Në praktikë, pikërisht lidhja ndërmjet këtyre fazave mund të bëjë dallimin. Kur secila hallkë e sistemit e di çfarë ka ndodhur më parë dhe çfarë duhet të ndodhë më pas, pacienti ka më shumë mundësi ta mbajë sëmundjen nën kontroll dhe të shmangë komplikimet.

Lëshimi nga spitali nuk do të thotë se kujdesi ka përfunduar

Në spital, kuptohet, fokusi ynë kryesor është te problemi që e ka sjellë pacientin aty. Duhet ta diagnostikojmë, ta trajtojmë dhe ta stabilizojmë. Por te sëmundjet kronike kjo është vetëm një pjesë e punës.

Kur pacienti largohet, duhet të jetë sa më e qartë se çfarë ndodh më tej. A e ka kuptuar diagnozën? A e di si duhet ta marrë terapinë? Kur duhet të bëjë kontrollin e ardhshëm? A i njeh shenjat për të cilat duhet të kërkojë përsëri ndihmë?

Këto mund të duken si gjëra të thjeshta, por për pacientin dhe familjen e tij janë shumë të rëndësishme. Nëse udhëzimet nuk kuptohen ose kujdesi nuk vazhdon siç duhet, një problem që mund të menaxhohej me kohë mund ta sjellë pacientin përsëri në spital.

Lëshimi nga spitali, pra, nuk duhet parë si fundi i kujdesit, por është veçse kapërcimi në fazën tjetër të tij.

Pacienti duhet të kuptojë sëmundjen me të cilën jeton

Ne si profesionistë shëndetësorë punojmë me diagnoza, analiza, terapi dhe protokolle. Pacienti, ndërkohë, duhet të jetojë çdo ditë me sëmundjen e tij.

Një person me diabet merr vendime çdo ditë për ushqimin dhe terapinë. Një person me hipertension mund të mos ketë asnjë shqetësim, edhe kur tensioni nuk është i kontrolluar. Një pacient me sëmundje të zemrës duhet të dijë kur një ndryshim në gjendjen e tij kërkon vëmendje.

Për këtë arsye, komunikimi me pacientin është pjesë e trajtimit. Nuk mjafton t’i japim një raport dhe një listë barnash. Duhet të sigurohemi, aq sa është e mundur, se ai e kupton gjendjen e vet dhe rolin që ka në kujdesin për shëndetin.

Këtu edhe familja mund të jetë një partner i rëndësishëm, sidomos për pacientët e moshuar apo ata që jetojnë me disa sëmundje njëkohësisht.

Çfarë mund të bëjmë më mirë?

Spitalet duhet të vazhdojnë të përmirësojnë kushtet për diagnostikim dhe trajtim. Kemi specialistë dhe profesionistë shumë të mirë në këto fusha dhe kjo është një bazë e rëndësishme. Por krahas ekspertizës mjekësore, duhet të përmirësojmë vazhdimisht edhe organizimin e kujdesit rreth pacientit.

Kjo nënkupton bashkëpunim më të mirë ndërmjet profesionistëve që e trajtojnë të njëjtin pacient, udhëzime të qarta gjatë lëshimit dhe komunikim më të mirë me kujdesin parësor dhe shërbimet ku pacienti do të vazhdojë trajtimin.

Njëkohësisht, nuk duhet të presim që sëmundja të përkeqësohet për të vepruar. Parandalimi duhet të fillojë shumë më herët. Edukimi për ushqim të shëndetshëm, aktiviteti fizik, kontrollet e rregullta dhe zbulimi i hershëm i faktorëve të rrezikut janë ndër mënyrat më të mira për të zvogëluar barrën e sëmundjeve kronike.

Pas çdo diagnoze është një njeri që dëshiron t’i kthehet familjes, punës dhe jetës së tij të zakonshme.

Prandaj, suksesi ynë nuk është vetëm që pacienti të largohet nga spitali në gjendje më të mirë. Suksesi është që ai të largohet duke ditur çfarë duhet të bëjë më tej dhe duke pasur një rrugë të qartë për vazhdimin e kujdesit. Sepse për pacientin kronik, dera e spitalit nuk duhet të jetë vendi ku kujdesi fillon nga e para sa herë që gjendja përkeqësohet.

Ky opinion është publikuar në kuadër të projektit “Avancimi i raportimit mbi sëmundjet kronike jo-ngjitëse”, i zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në partneritet me Projektin Shërbime Shëndetësore të Integruara (IHS), me mbështetjen e Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC).

Linku, burimi i artikullit: https://agk-ks.org/en/news/pacienti-kronik-ka-nevoje-per-vazhdimesi-te-kujdesit/?fbclid=IwdGRjcATv2DRjbGNrBO_XwnBkb2YFZXh0bgNhZW0CMTEAc3J0YwZhcHBfaWQMMzUwNjg1NTMxNzI4AAEexWMZfaAU4tC6gItdvFr8w2N6S7eFyxxZ7titX3938ho-tDetl6mwd81K7cg_aem_aMreddag3GHA1pUlcosaQg

LEXO EDHE: