Prokuroria Themelore në Pejë ka pushuar hetimet ndaj pesë personave me inicialet B.V., G.H., F.M., G.O. dhe H.F., të cilët ishin nën hetim për dyshimet për falsifikim të rezultateve të votimit.
Hetimi lidhej me mospërputhje të votave gjatë numërimit në Istog, pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit 2025.
Sipas Prokurorisë, në katër kuti votimi ishin evidentuar mospërputhje prej 23, 10, 53 dhe 55 votash, por ato nuk ishin të përqendruara te ndonjë kandidat apo subjekt i caktuar politik.

Po ashtu, ekspertiza e pajisjeve telefonike të sekuestruara nuk ka gjetur prova që i lidhin personat nën hetim me manipulim të rezultateve apo me ndonjë kandidat.
Prokuroria ka vlerësuar se mospërputhjet mund të jenë shkaktuar nga gabime teknike, gabime njerëzore apo lodhja gjatë numërimit.
Në mungesë të provave për dashje të drejtpërdrejtë, motiv apo koordinim për ndryshimin e rezultateve, Prokuroria ka vendosur pushimin e hetimeve ndaj pesë personave.
Avokati Agon Rexhaj, mbrojtës i njërit prej personave nën hetim, e ka vlerësuar vendimin si të drejtë dhe të mbështetur në prova.
“Gjatë hetimit nuk është gjetur asnjë provë që do të dëshmonte se ai me dashje ka ndërmarrë veprime për manipulimin e rezultateve të votimit”, ka deklaruar Rexhaj, per portalin Pejanefokus./Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
