Në Pejë nis intervistimi i komisionerëve për keqpërdorimin e votave

Pejë, 04 shkurt 2026 – Prokuroria Themelore e Pejës ka bërë të ditur se sot ka nisur intervistimi i komisionerëve lidhur me dyshimet për keqpërdorime në numërimin e votave të zgjedhjeve të fundit qendrore në Pejë.

Prokuroria ka autorizuar Hetimet Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë për veprime hetimore që kanë filluar më 19 janar me autorizimin e Kryeprokurores Lumturije Vuçetaj. Veprimet e mëtejshme po ndërmerren nga prokurorë të caktuar, në koordinim me policinë.

“Nga dita e sotme ka filluar procesi i intervistimit të komisionarëve me qëllim të sqarimit dhe zbardhjes së plotë të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.

Institucioni premton se do të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe hetimore për identifikimin e përgjegjësve dhe do ta mbajë publikun të informuar për zhvillimet e mëtejshme./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: