Nuk keni kohë për të lexuar ? – Ja pse mjaftojnë vetëm 10–20 minuta në ditë

Shumë njerëz dëshirojnë të lexojnë më shumë, por ritmi i jetës, puna dhe lodhja e përditshme shpesh e bëjnë këtë të duket e pamundur.

Telefoni, rrjetet sociale dhe angazhimet e shumta e shpërqendrojnë mendjen dhe libri mbetet shpesh i mbyllur në raft. Megjithatë, leximi nuk kërkon orë të tëra kohë – shpesh mjaftojnë vetëm 10 deri në 20 minuta në ditë për ta mbajtur mendjen aktive dhe për të krijuar një shprehi të mirë.

Leximi nuk kërkon shumë kohë

Një nga gabimet më të zakonshme është vendimi për të lexuar shumë faqe përnjëherë. Kur vendoset një qëllim i madh, zakonisht ai shtyhet për një moment tjetër që rrallë vjen. Një mënyrë më e mirë është leximi i pak faqeve çdo ditë. Edhe 3 apo 4 faqe janë të mjaftueshme për të krijuar një ritëm të qëndrueshëm. Me kalimin e kohës, kjo shndërrohet në shprehi dhe libri fillon të bëhet pjesë natyrale e ditës.

Mos e kërko momentin perfekt për të lexuar

Shumë njerëz presin “kohën e duhur” për të lexuar – një moment të qetë, një pasdite pa angazhime apo një fundjavë të lirë. Por shpesh kjo kohë nuk vjen kurrë. Në fakt, leximi mund të ndodhë kurdo gjatë ditës: në mëngjes, gjatë një pushimi, para gjumit apo në çdo moment të lirë prej disa minutash. Sekreti nuk është momenti perfekt, por vazhdimësia.

Leximi me laps në dorë e rrit përqendrimin

Kur leximi bëhet aktiv, edhe përqendrimi rritet. Një mënyrë e thjeshtë është të mbash laps ose një bllok shënimesh pranë. Nënvizimi i një fjalie që të pëlqen ose shënimi i një mendimi të shkurtër e bën trurin më të përfshirë në tekst. Kjo jo vetëm që ndihmon në kuptim më të mirë, por edhe në pasurimin e fjalorit dhe mënyrës së të shprehurit.

Leximi i ngadalshëm kuptohet më mirë

Shpesh njerëzit mendojnë se duhet ta kuptojnë një tekst menjëherë dhe pa u ndalur. Në realitet, leximi i mirë është më i ngadalshëm. Ndonjëherë është e nevojshme të rilexohet një paragraf ose të ndalemi për pak sekonda për ta menduar atë që sapo kemi lexuar. Ky proces e ndihmon mendjen ta përpunojë informacionin dhe ta mbajë mend më gjatë.

Teknika “Lexo – Mbylle – Trego”

Një metodë shumë e dobishme për ta mbajtur mend atë që lexojmë është teknika e quajtur “Lexo – Mbylle – Trego”. Fillimisht lexohet një pjesë e shkurtër, zakonisht një ose dy faqe. Pas kësaj libri mbyllet për disa sekonda dhe përpiqemi të kujtojmë idenë kryesore. Mund ta themi me zë ose ta shkruajmë me një fjali të shkurtër. Ky proces e aktivizon mendjen dhe e bën informacionin shumë më të lehtë për t’u mbajtur mend.

Pak qetësi para leximit bën ndryshim

Edhe një përgatitje e shkurtër para leximit mund të ndihmojë shumë. Disa minuta larg telefonit dhe disa frymëmarrje të ngadalta e qetësojnë mendjen dhe e bëjnë më të lehtë përqendrimin. Pastaj vendoset një qëllim i vogël, si leximi i disa faqeve. Kur detyra është e vogël, mendja e pranon më lehtë dhe leximi bëhet më i natyrshëm.

Leximi si qetësi për mendjen

Përveç informacionit dhe njohurive, leximi është edhe një mënyrë për të qetësuar mendjen. Disa minuta me një libër mund të ndihmojnë në largimin e stresit dhe në rikthimin e përqendrimit. Me kalimin e kohës, leximi bëhet jo vetëm një aktivitet i dobishëm, por edhe një moment i vogël pushimi nga ritmi i shpejtë i përditshmërisë.

Në fund, sekreti i leximit nuk është koha e madhe, por vazhdimësia.

Edhe 10 deri në 20 minuta në ditë janë të mjaftueshme për të krijuar një shprehi që pasuron mendjen dhe e bën jetën më të qetë. Një libër i hapur për pak minuta çdo ditë mund të bëjë një ndryshim të madh në mënyrën si mendojmë, si flasim dhe si e shohim botën. /Pejanefokus.net/N’Fokus+

LEXO EDHE: