Rreshqitje të dheut në Haxhaj të Rugovës

Vizitorët e trevës së Rugovës sot kanë raportuar një rast të ri të rreshqitjeve të dheut në këtë zonë, duke dërguar pamje me fotografi tek Peja në Fokus, në të cilat shihet se si një nga korsitë e rrugës në fshatin Haxhaj është mbuluar në mënyrë të konsiderueshme, duke shkaktuar vështirësi në qarkullim dhe duke rrezikuar vozitësit.

Vlen të theksohet se edhe më 1 shkurt të këtij viti, Peja në Fokus ka raportuar për rreshqitje të gurëve të mëdhenj, nga ku një familje kishte pësuar lëndime dhe ishin shkaktuar dëme materiale.

KLIKO VIDEO-LAJMIN NË LINK: https://pejanefokus.net/aksident-ne-aksin-peje-kuqishte-gure-te-medhenje-godasin-veturen/

Deri më tani nuk janë parë investime konkrete për sanimin e këtij problemi, ndonëse në nëntor 2024, Hysen Durmishi, atëkohë zëvendësministër i Infrastrukturës, kishte deklaruar përmes një postimi në Facebook se: “Është iniciuar procedura për prokurim për sanimin emergjent të rrëshqitjeve në rrugën nacionale N9, Pejë–Kuqishtë. Po ashtu, më herët MMPHI ka iniciuar procedurat për hartimin e projektit kryesor-zbatues për rekonstruktimin e segmentit Pejë–Kuqishtë–Qakorr.”

Megjithatë, nga ajo kohë dhe deri më sot, në këtë aks rrugor janë raportuar dhjetëra raste të rrëshqitjeve të dheut dhe rënies së gurëve, ndërsa nuk është parë asnjë punë konkrete në terren, duke e bërë rrugën një rrezik të përhershëm për qytetarët dhe turistët që frekuentojnë Rugovën.

Peja në Fokus do të vazhdojë të përcjellë këtë çështje dhe do të kërkojë përgjegjësi nga institucionet përkatëse./Pejanefokus.net.

LEXO EDHE: