(I përditësuar) USSH: Dyshohet për shkelje në regjistrime të semestrit në Fakultetin e Biznesit në Pejë

Organizata “Unioni i Studentëve Shqiptarë” (USSH) në Fakultetin e Biznesit, pranë Universitetit “Haxhi Zeka” në Pejë, me anë të një konference për media të thirrur sot, kanë paraqitur shqetësimet e tyre lidhur me disa zhvillime në fakultet.

Ata hodhën dyshimet e tyre ndaj një studenti, i cili ka bërë paraqitjen dhe regjistrimin e semestrit veror për rreth 50 studentë të grupit të organizatës së tij, veprim ky i cili sipas tyre bie ndesh me ligjin dhe rregulloren e Universitetit, si dhe përbën ndërhyrje. Studentët kanë ngritur edhe dyshime për mundësi përkrahjeje nga menaxhmenti ose administrata e fakultetit.

Enis Gjocaj, i cili u prezentua si kryetar i studentëve në Fakultetin e Biznesit dhe pjesëtar i Këshillit të këtij fakulteti, tha:

“Sot e kemi thirrur këtë konferencë për media, për një problem dhe një shkelje serioze e cila ka ndodhur në Universitetin tonë, në fakultetin e biznesit, e cila ka shkaktuar një shqetësim të madh. Ky problem është shqyrtuar edhe në Senatin e universitetit. Shqetësimi kryesor ka qenë për një student të vitit të parë të Teknologjisë dhe Informacionit dhe Biznesit, Elton Ramqaj, i cili ka nisur procesin e krijimit të një organizate të re studentore, e cila nuk paraqet asgjë të keqe në vete, mirëpo ai ka bërë disa shkelje. Ai pa asnjë kompetencë, pa asnjë të drejt ligjore dhe normative në bazë të Statutit të Universitetit, ka marrë parasysh përfaqësimin e studentëve, si dhe ka bërë disa veprime të tjera, të cilat cenojnë normativat dhe statutin e Universitetit.”

Gjocaj shtoi:

“Shqetësmi ynë ka qenë se studenti Elton Ramqaj më 26 shkurt, pra 8 ditë para se të paraqitet vendimi zyrtarë për fillimin e semestrit veror, vendim i cili vjen vetëm nga Senati i Universitetit, ka marrë iniciativë që studentëve të Fakultetit të Biznesitt ë grupit të tij, përafërsisht rreth 50 student, të bëjë paraqitjen e semestrit veror, gjë që edhe nëse ai do të ishte përfaqësues i studentëve me anë të kësaj ai ka bërë shkelje të ligjit. Njëkohësisht ka shkaktuar një prishje të normativës së Universitetit, andaj ne kërojmë transparencë ndaj organeve të Fakultetit të Biznesit, si dhe njëkohësisht ndaj Administratës, për këtë shkelje e cila ka ndodhur në fakultetin tonë. Ne jemi të vetëdijshëm se studenti në fjalë mund të ketë përkrahje nga menaxhmenti dhe Administrata e cila e ka shkaktuar këtë lloj ndërhyrje, andaj ne kërkojmë transparencë nga ana e organeve të Universitetit.”

Për të marrë edhe versionin e tij, Peja në Fokus ka kontaktuar edhe me studentin Elton Ramqaj, i cili tha:

“Pretendimet kanë qenë së kinse unë i kam regjistru. Por të gjitha janë me autorizim të studentëve. Dmth e kom dërgu pjesën e letrës tek Administrata, kom bisedu me Administratën para se me ndodhë akti edhe kom marr komplet autorizimin e studentëve, me të njëjten datë dhe e kom dërgu tek pjesa e referentes, e kjo është në të mirën e studentëve. Kjo nuk ka pasur kundërshtim as me status e as me kurgjë. Studentëve iu ka rgjistru semestri, me perjashtim të dy, apo tre studentëve që kanë pasur procedura të tjera rreth fakultetit. Edhe ne kemi marr ankesë prej pjesës së organizatës USSH, konkretisht prej Enis Gjocit. Unë jam njoftu edhe jemi shku në takim me dekanin për me sqaru këtë pjesë së çka ka ndodhur. Unë po e bëjë një iniciativë për me i ndihmu studentëve dhe këtu nuk ka kurgjë negative, por pretendimet e tyre janë pak më zgjatimisht dhe të ndryshme.”

Pas konferencës, Peja në Fokus ka kontaktuar edhe me telefon dekanin e Fakultetit të Biznesit, Ylber Januzaj, i cili ka kërkuar që pyetjet t’i dërgohen me email, në mënyrë që të mund të japë sqarime zyrtare lidhur me çështjet e ngritura nga studentët.

Pas publikimit të parë të këtij artikulli ka ardhur edhe përgjigjja e dekanit, në të cilën thuhet:

“Të nderuar, faleminderit për interesimin dhe për mundësinë për të dhënë një sqarim lidhur me këtë çështje.

Procesi i regjistrimit të semestrit në Fakultetin e Biznesit në Universitetin “Haxhi Zeka” zhvillohet përmes procedurave administrative të përcaktuara dhe realizohet nga administrata e fakultetit në përputhje me rregulloret në fuqi.

Në praktikë, ndodh që studentët, për arsye praktike, të ndihmojnë njëri-tjetrin gjatë procedurave administrative, veçanërisht në proceset që lidhen me paraqitjen e dokumentacionit apo regjistrimet kolektive përmes autorizimeve. Këto janë iniciativa të studentëve dhe nuk përbëjnë procese vendimmarrëse institucionale.

Fakulteti nuk inkurajon asnjë veprim që bie ndesh me procedurat, por në të njëjtën kohë duhet theksuar se drejtuesit e fakultetit nuk mund të jenë përgjegjës për veprimet individuale të studentëve jashtë kornizave zyrtare institucionale.

Nga informacionet që kemi deri më tani, nuk rezulton se është shkaktuar ndonjë dëm ndaj studentëve apo ndonjë përfitim i padrejtë. Nëse paraqitet ndonjë paqartësi apo pretendim, ajo do të trajtohet në mënyrë institucionale dhe në përputhje me rregulloret universitare.

Fakulteti i Biznesit mbetet i përkushtuar që të garantojë transparencë, korrektësi dhe një proces sa më funksional për studentët, ndërkohë që aktiviteti akademik dhe administrativ po vazhdon normalisht.

Me respekt”

Po ashtu, studentët shprehën shqetësim edhe për mosfunksionimin e sistemit elektronik “SEMS”, përmes të cilit zakonisht bëhet paraqitja e semestrit. Sipas tyre, për shkak se sistemi nuk po funksionon, studentët janë detyruar që paraqitjen e semestrit ta bëjnë duke u paraqitur fizikisht në fakultet.

Për këtë çështje kishte raportuar edhe më herët portali Peja në Fokus, ndërsa ishte dërguar kërkesë për sqarim në Zyrën për Media të universitetit, por ende nuk është marrë përgjigje./Pejanefokus.net.

Lajmi paraprak rreth rastit : https://pejanefokus.net/fakulteti-i-biznesit-ne-peje-studenteve-semestri-regjistrohet-ne-forme-fizike/

LEXO EDHE: