Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave ka bërë apel të gjerë drejtuar qytetarëve për kujdes maksimal dhe vigjilencë, për shkak të rritjes së rrezikut për zjarre gjatë sezonit të verës.
Në njoftim theksohet se temperaturat e larta të ajrit gjatë kësaj periudhe ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe përhapjen e vrullshme të zjarreve në sipërfaqe të hapura, zona malore dhe fushore, duke rrezikuar jetën e qytetarëve, pronën, kafshët dhe ambientin.
“Të nderuar qytetarë, meqenëse kemi hyrë në sezonin e verës që supozohet se do të karakterizohet me temperatura të larta të ajrit të cilat ndikojnë në rritjen e rrezikut për shfaqjen dhe zgjerimin e vrullshëm të zjarreve në sipërfaqe të hapura, malore dhe fushore e me qëllim të evitimit të rrezikut nga zjarri, mbrojtjes të jetës së qytetarëve, të pronës, shtazëve dhe ambientit”, thuhet në apel.
AME apelon që qytetarët të jenë të kujdesshëm dhe vigjilentë, duke shmangur çdo shkaktar të mundshëm të zjarreve dhe duke raportuar menjëherë çdo vatër zjarri në numrat emergjent pa pagesë që funksionojnë 24/7: 112, 193 dhe 192.
Në njoftim theksohet gjithashtu rëndësia e ndihmës së qytetarëve në shuarjen e zjarreve kur është e mundur, si dhe obligimi ligjor për bashkëpunim me institucionet në situata emergjente.
Ndër masat parandaluese, AME kërkon që qytetarët të mos ndezin zjarr në pyje, fusha apo pranë zonave të banuara, të mos hedhin cigare të ndezura apo mbeturina që mund të shkaktojnë flakë, si dhe të edukojnë fëmijët për rrezikun e lojërave me zjarr.
Po ashtu, qytetarët ftohen të ruajnë mjedisin si pasuri të përbashkët dhe të kontribuojnë në mbrojtjen e tij për brezat e ardhshëm.
“Mos lejoni që pakujdesia të kthehet në katastrofë. Veproni menjëherë dhe me përgjegjësi – për veten, për komunitetin, për Kosovën”, thuhet në fund të apelit.
AME thekson gjithashtu se zjarrvëniet e qëllimshme apo ato të shkaktuara nga pakujdesia janë vepra penale dhe sanksionohen me ligj.
Qytetarëve u kujtohet se në rast rreziku mund të kontaktojnë pa pagesë 24/7 numrat emergjent: 112 (Qendra Operative Emergjente), 193 (zjarrfikësit), 192 (Policia) dhe 194 (Shërbimi Mjekësor Emergjent).
“Paralajmërim i hershëm – veprim i hershëm, i cili shpëton jetë dhe ambientin e përbashkët për të gjithë”, përfundon njoftimi. /Pejanefokus.net./N’Fokus+/
