Nga një fshat i vogël i Pejës drejt skenave më të mëdha të sportit ndërkombëtar. – Kjo është historia frymëzuese e Rrezon Elezajt, si dhe motrës së tij, Era Elezaj, nga Radavci, të cilët me punë, disiplinë dhe talent po ndërtojnë karrierë të jashtëzakonshme në basketboll dhe volejboll.
Rrezon Elezaj, vetëm 19 vjeç dhe plot 219 centimetra i gjatë, është një nga talentet më premtues të basketbollit. Hapat e parë në këtë sport i hodhi në Kosovë në moshën 12-vjeçare, ndërsa më pas vazhdoi zhvillimin në Turqi, ku sot është edhe pjesë e Kombëtares së Turqisë në basketboll.

Karriera e tij ka marrë përmasa ndërkombëtare edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas angazhimit në kolegjin UConn, ai ka nënshkruar me Appalachian State University (App State), ku do të garojë në kampionatin universitar amerikan NCAA – niveli më i lartë i basketbollit universitar dhe një nga rrugët kryesore drejt NBA-së.
Synimi i Rrezonit është i qartë – të luajë në ligën më të fortë të basketbollit në botë. Nëse vazhdon me këtë ritëm zhvillimi, ekzistojnë gjasa reale që ai të jetë pjesë e Draftit të NBA-së në vitin 2027.
“Rruga deri këtu nuk ka qenë e lehtë, por çdo stërvitje dhe çdo sakrificë ka pasur një qëllim. Jam krenar që vij nga Radavci i Pejës dhe synimi im është të vazhdoj të punoj fort për ta çuar emrin tim dhe të vendit tim sa më lart në basketbollin botëror.”- thotë Rrezoni për portalin ‘Peja në Fokus.
Në të njëjtën rrugë suksesi po ecën edhe motra e tij, Era Elezaj.
Vetëm 17 vjeçe dhe me gjatësi 200 centimetra, ajo është volejbolliste e klubit Kuzey Boru në Ankara të Turqisë, ku po zhvillon talentin e saj në një nga kampionatet më konkurruese.

Ashtu si vëllai, edhe Era sportin e nisi në moshën 12-vjeçare, ndërsa që nga mosha 15-vjeçare vazhdoi karrierën jashtë Kosovës, duke dëshmuar se përkushtimi dhe puna e palodhur mund të hapin dyert e suksesit ndërkombëtar.
“Sporti më ka mësuar se suksesi vjen vetëm me punë, përkushtim dhe besim. Jam e lumtur që po e përfaqësoj veten dhe vendin tim në një arenë ndërkombëtare dhe do të vazhdoj të luftoj për ëndrrat e mia.”- thotë Era, për portalin ‘Peja në Fokus’.
Historia e Rrezonit dhe Erës është një dëshmi se talenti, kur shoqërohet me sakrificë dhe mbështetje, mund ta çojë një sportist nga Radavci i Pejës deri në skenat më prestigjioze të sportit botëror.
Ata sot janë jo vetëm krenari për familjen e tyre, por edhe një shembull frymëzimi për shumë të rinj nga Peja dhe mbarë Kosova që ëndërrojnë të arrijnë majat e sportit. /Pejanefokus.net/SportineFokus/
