Më 4 shtator, Spitali i Përgjithshëm i Pejës njoftoi për realizimin me sukses të një ndërhyrjeje komplekse kirurgjikale te një 82-vjeçare, për trajtimin e një tumori retroperitoneal bilateral.
Sipas Spitalit, masa tumorale kishte rrethuar aortën abdominale dhe venën kava inferiore, me shtrirje deri te arteriet iliake, si dhe kishte përfshirë ureterin e majtë.
“Pas një diseksioni të kujdesshëm dhe të kontrolluar, u arrit rezeksioni i plotë i tumorit, së bashku me veshkën e majtë të përfshirë”, thuhej në njoftimin e Spitalit.
Ndërhyrja u realizua nga Dr. Bujar Vrella, kirurg, dhe Dr. Kushtrim Fejza, urolog, në bashkëpunim me ekipin e Anestezionit dhe sallës operative.
Ndërkaq, sot, më 9 shtator, Dr. Bujar Vrella ka dhënë një përditësim lidhur me gjendjen e pacientes.
“Pacientja, pas intervenimit kirurgjik, ka përfunduar me sukses trajtimin dhe sot është lëshuar nga spitali në gjendje të mirë shëndetësore”, ka njoftuar Vrella.
Ai ka falënderuar pacienten dhe familjen e saj për besimin, ndërsa ekipin e tij për përkushtimin dhe profesionalizmin gjatë gjithë trajtimit.
Në ekipin e ndërhyrjes morën pjesë edhe Dr. Ylli Morina, Dr. Adil Dobraj, Mergim Haziraj, Besarbër Qufaj, si dhe instrumentaret Nebahate Muhaxheri, Adelina Shala dhe Alberina Gashi./Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
