Ankesa e klientit në Pejë – Telkos merr masë ndaj punonjëses

Asian business person responding at the customer center

Një situatë e pakëndshme kishte ndodhur në një prej pikave të Telkos në Pejë, pas një komunikimi mes një klienti dhe një punonjëseje të kompanisë. Rasti më pas është adresuar përmes ankesës zyrtare dhe është marrë për bazë nga kompania.

Sipas klientit, ai kishte vizituar pikën e Telkos në rrugën “Eliot Engel” për të marrë informacione dhe për të lidhur një kontratë. Gjatë procedurës, ai kishte kërkuar sqarime rreth dallimit të ofertave për personat fizikë dhe bizneset.

Pasi kishte vendosur të vazhdonte si person fizik, klientit i ishte kërkuar karta e identitetit. Ai kishte kërkuar të dinte arsyen e kërkesës, duke deklaruar se ishte i gatshëm t’i jepte të dhënat e nevojshme.

Sipas tij, gjatë këtij komunikimi punonjësja kishte ngritur zërin, ndërsa pas një momenti të tensionuar i ishte drejtuar me fjalët “i paedukatë”.

Pas largimit nga pika, klienti kishte kontaktuar Qendrën e Thirrjeve të Telkos për të kërkuar udhëzime dhe më pas kishte adresuar ankesë zyrtare përmes emailit tek kompania.

Ankesa është shqyrtuar nga Telkos dhe, pas trajtimit të rastit, kompania i është përgjigjur klientit duke kërkuar falje për sjelljen e punonjëses.

Në dokumentin e përcjellë nga kompania bëhet e ditur se ndaj punonjëses është shqiptuar “vërejtje me shkrim”, për shkak të moskorrektësisë ndaj klientit dhe sjelljes së pahijshme e jo profesionale.

Telkos ka theksuar se sjellje të tilla nuk lejohen ndaj klientëve dhe se kompania merr masa kur evidentohen raste të tilla.

Rasti është një shembull se sa e rëndësishme është që konsumatorët t’i adresojnë shqetësimet e tyre përmes kanaleve zyrtare, por edhe se si reagimi i një kompanie ndaj ankesave mund të ndikojë në raportin dhe besimin e klientëve.

Në këtë rast, fakti që ankesa është marrë seriozisht, është shqyrtuar dhe ka rezultuar me masë konkrete ndaj punonjëses, tregon një qasje të kompanisë për t’i dhënë rëndësi edhe zërit të konsumatorit.
/Pejanefokus.net/Peja Biznes/

LEXO EDHE: