Një grua humbi jetën pas plagëve të marra në një rast të rëndë në Klinë, ndërsa brenda dy ditësh u raportuan raste të tjera në Pejë, Istog e Deçan.
Dhuna në familje në rajonin e Pejës ka marrë një kthesë tragjike. Një grua ka humbur jetën pas plagëve të marra në një ngjarje të rëndë të raportuar më 6 shtator në Klinë.
Sipas Policisë, një burrë dyshohet se sulmoi rëndë një grua, ndërsa më pas kishte sulmuar fizikisht edhe nënën dhe motrën e tij. Viktimat u dërguan për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari u arrestua dhe u dërgua në repartin e psikiatrisë nën mbikëqyrje policore. Më pas u raportua se motra e të dyshuarit ndërroi jetë si pasojë e plagëve të marra.
Në të njëjtën ditë, në Istog, u raportua një rast i dhunës fizike ndaj një gruaje. I dyshuari u arrestua dhe u dërgua në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Deçan, pas një mosmarrëveshjeje, dy burra u sulmuan fizikisht mes vete. Pas intervistimit, të dy u liruan dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt.
Ndërsa më 7 shtator në Pejë, një burrë u arrestua pasi dyshohet se kishte kanosur një grua. Me vendim të prokurorit, ai u dërgua në mbajtje.
Këto raste janë raportuar brenda vetëm dy ditësh në rajonin e Pejës, duke rikthyer në vëmendje përmasat e dhunës në familje dhe pasojat që mund të ketë ajo.
Nga një rast i raportuar, në një jetë të humbur – dhuna në familje nuk mbetet gjithmonë vetëm brenda mureve të shtëpisë. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
