40 aktivitete për 4 ditë në Pejë – rikthehet “Peja Outdoor Festival” 2026

Peja do të jetë sërish qendër e aktiviteteve outdoor nga 11 deri më 14 qershor, kur do të mbahet edicioni i tretë i festivalit Peja Outdoor Festival, festivali i parë i këtij lloji në Kosovë i dedikuar rekreacionit, mirëqenies, turizmit aktiv dhe jetesës në natyrë.

Sipas organizatorëve, gjatë katër ditëve të festivalit do të zhvillohen mbi 40 aktivitete sportive, rekreative, edukative dhe kulturore në Pejë dhe Rugovë. Programi përfshin ecje malore, çiklizëm, vrapim, ngjitje, paragliding, speleologji, aktivitete për fëmijë, punëtori tradicionale dhe edukative, si dhe përmbajtje të tjera të përshtatura për grupmosha dhe interesa të ndryshme.

Festivali synon promovimin e Pejës dhe rajonit të Rugovës si destinacione të turizmit aktiv, duke u ofruar qytetarëve dhe vizitorëve mundësinë të përjetojnë natyrën, aktivitetin fizik dhe kulturën lokale në një mënyrë gjithëpërfshirëse.

Një nga veçoritë kryesore të festivalit mbetet fakti se shumica e aktiviteteve ofrohen pa pagesë ose me tarifa simbolike. Organizatorët theksojnë se kjo është bërë e mundur falë bashkëpunimit me komunitetin lokal, partnerët, organizatat dhe dhjetëra vullnetarë që kontribuojnë në realizimin e programit.

Programi i këtij viti është konceptuar për të gjitha grupmoshat, duke përfshirë aktivitete edukative dhe rekreative për fëmijë e familje, por edhe aventura në natyrë për pjesëmarrës me përvojë. Vëmendje e veçantë u është kushtuar edhe atyre që dëshirojnë të provojnë për herë të parë aktivitete outdoor.

Risia kryesore e edicionit 2026 është organizimi i garës së parë “Peja Trail Run”, e cila do të mbahet më 14 qershor. Organizatorët presin rreth 300 pjesëmarrës nga Kosova, rajoni dhe vende të ndryshme ndërkombëtare, të cilët do të garojnë në dy kategori, 10 dhe 23 kilometra.

Përveç aspektit sportiv, gara synon të promovojë potencialin e Bjeshkëve të Nemuna dhe Pejës si destinacione të turizmit sportiv dhe aktiv.

Hapja zyrtare e festivalit do të mbahet më 11 qershor, duke filluar nga ora 20:30, në Mulliri i Haxhi Zekës. Në këtë ngjarje do të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve lokale, të Komunës së Pejës, shoqatave sportive e rekreative, guidave malore, bizneseve lokale, vullnetarëve dhe anëtarëve të komunitetit.

Organizatorët ftojnë qytetarët dhe vizitorët të bëhen pjesë e aktiviteteve të festivalit dhe të përjetojnë nga afër programin katërditor që promovon natyrën, sportin, bashkëpunimin komunitar dhe zhvillimin lokal. /Pejanefokus.net/Sport/

LEXO EDHE: