Dita Botërore e Ujit: ‘Hidrodrini’ apelon për ruajtjen dhe përdorimin racional

Me rastin e 22 Marsit – Ditës Botërore të Ujit, KRU “Hidrodrini” në Pejë ka publikuar një komunikatë me të dhëna mbi rëndësinë e ujit dhe sfidat globale që lidhen me mungesën e tij.

Në komunikatë theksohet rëndësia jetike e ujit dhe fakti që miliona njerëz në botë ende nuk kanë qasje në ujë të pijshëm dhe kushte bazike higjienike.

“Për mos të harruar rëndësinë e ujit, sipas statistikave, çdo ditë, një familje mesatare shpenzon rreth 50 litra ujë për tualet ndërsa një, në 6 njerëz në Tokë nuk i ka 20 deri në 50 litra ujë të freskët për pije. Nga pasojat e mungesës së ujit vdesin fëmijë.”

“Sipas vlerësimeve, në botë, 1.1 miliard njerëz ende nuk kanë qasje në ujë të pijshëm dhe 2.4 miliard jetojnë pa higjenë themelore.”

Po ashtu, në komunikatë theksohen edhe pasojat që vijnë nga përdorimi i ujit të ndotur:

“Sipas të dhënave të OKB-së, pasojë e diarresë së shkaktuar nga pirja e ujit të ndotur, në botë çdo vit vdesin rreth 502 mijë njerëz.”

Ndërmarrja u bën thirrje qytetarëve për kujdes në përdorimin e ujit:

“Andaj, të nderuar konsumatorë, edhe sot në këtë datë, KRU ‘Hidrodrini’ ju fton që të ruajmë ujin, të paguajmë sasinë e shpenzuar dhe mos ta keqpërdorim.”

Në fund, theksohet edhe mesazhi kryesor i kësaj dite:

“Uji është jetë, ta ruajmë, ta paguajmë dhe ta përdorim racionalisht, KRU ‘Hidrodrini’ uron këtë ditë të çmuar për jetën!” /Pejanefokus.net/N’Fokus+

LEXO EDHE: