Statuti i platformës së informimit “Peja në Fokus” përfaqëson themelin mbi të cilin ndërtohet puna jonë gazetareske – dokument ky i cili përcakton qartë misionin, parimet etike, strukturën organizative dhe orientimin editorial të mediumit tonë, duke garantuar një raportim të pavarur, të paanshëm dhe të bazuar në interesin publik.
Përmes këtij statuti, ne angazhohemi për transparencë, përgjegjësi dhe respekt ndaj lexuesit, si dhe për mbrojtjen e vlerave të gazetarisë së lirë në shërbim të komunitetit të Pejës dhe më gjerë.
Statuti i Portalit Informativ “Peja në Fokus”
Neni 1 – Emri dhe Selia
1. Emri i mediumit: Peja në Fokus
2. Selia: Pejë, Republika e Kosovës
3. Mediumi është i regjistruar si biznes-media pranë Agjensionit për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), në Kosovë, ndërsa produkt i saj janë: portali informativ elektronik www.pejanefokus.net, që operon edhe në rrjete sociale, me rubrika të ndara, si ‘Peja në Fokus’, ‘Peja Biznes’, ‘Punësohu në Pejë’, ‘Image of Peja’, me karakter lokal dhe rajonal.
Neni 2 – Misioni dhe Qëllimi
1. Peja në Fokus ka për mision informimin të drejtë, të paanshëm dhe në kohë të qytetarëve të Pejës dhe rrethinës.
2. Qëllimi kryesor është mbulimi i ngjarjeve lokale, promovimi i transparencës publike dhe pasqyrimi i jetës së përditshme të komunitetit.
3. Portali synon të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit qytetar, mbështetjen e gazetarisë së pavarur dhe forcimin e demokracisë lokale.
Neni 3 – Parimet Bazë
1. Objektivitet dhe paanshmëri në raportim.
2. Verifikim i informacioneve përpara publikimit.
3. Respekt për privatësinë dhe dinjitetin e individit.
4. Distancim nga interesat politike apo ekonomike që dëmtojnë besueshmërinë.
5. Promovim i transparencës dhe llogaridhënies së institucioneve.
Neni 4 – Përmbajtja dhe Profili Editorial
1. Portali publikon: lajme, intervista, analiza, njoftime, reklama, kronika dhe materiale multimediale.
2. Fokus i veçantë është: siguria publike, politika lokale, ekonomia, kultura, sporti dhe jeta komunitare.
3. Gjuhë e përdorur: shqip. Respektohet drejtshkrimi dhe stili profesional gazetaresk.
Neni 5 – Organizimi dhe Struktura
1. Portali drejtohet nga një Drejtor / Redaktor përgjegjës, i cili ka autoritet editorial.
2. Struktura mund të përfshijë bashkëpunëtorë, gazetarë të terrenit, fotografë dhe staf teknik.
3. Politikat editoriale përcaktohen nga drejtori, me konsultim të ekipit kur është e nevojshme.
Neni 6 – Pavarësia dhe Financimi
1. Peja në Fokus është portal i pavarur dhe vetëfinancohet përmes reklamave, projekteve dhe bashkëpunimeve mediale, por nuk nvaret nga përfitimi i klikimeve.
2. Çdo marrëdhënie financiare duhet të jetë transparente dhe të mos ndikojë në përmbajtjen editoriale.
Neni 7 – Marrëdhëniet me Publikun
1. Portali është i hapur për reagime, komente dhe përmirësime nga lexuesit.
2. Korrigjimet dhe sqarimet bëhen në mënyrë publike dhe me përgjegjësi.
Neni 8 – Etika dhe Përgjegjësia
1. Gazetarët dhe stafi udhëhiqen nga Kodi Etik i Gazetarëve të Kosovës.
2. Nuk publikohen përmbajtje që nxisin urrejtje, diskriminim apo dhunë.
Neni 9 – Rishikimi i Statutit
1. Ky statut mund të ndryshohet ose plotësohet me propozimin e drejtorit dhe miratimin nga ekipi redaktues.
Agjencioni Peja në Fokus
Pejë.