Gjatë 24 orëve të fundit, në Kosova janë raportuar zyrtarisht të paktën shtatë raste të dhunës në familje, ku tri prej tyre kanë ndodhur në Peja.
Lidhur me rastet në Pejë, detaje ka dhënë Policia e Kosovës, duke bërë të ditur se në njërin rast është konfiskuar edhe një armë zjarri.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që i njëjti ka kanosur djalin e tij viktimën mashkull kosovar dhe ka shfaqur agresivitet ndaj familjarëve tjerë. Viktima ka deklaruar se prindi posedon edhe armë dhe gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar një armë zjarri AK/47 me një karikator me 8 fishekë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje,” thuhet për rastin e parë.
Në një rast tjetër të ndodhur po ashtu në Pejë, një grua dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëjetuesit të saj.
“Është shoqëruar në stacionin policor e dyshuara femër kosovare, pasi që kishte ushtruar dhunë ndaj viktimës mashkull kosovar, me të cilin ishte duke bashkëjetuar. Viktima ka refuzuar tretmanin mjekësor. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit palët janë liruar dhe rasti vazhdon në procedurë të rregullt,” thuhet në njoftim.
Ndërkaq, një rast tjetër i dhunës në familje është raportuar në Deçani, ku janë përfshirë një çift bashkëshortor.
“Raportohet se dy të dyshuar, një mashkull shtetas i Shqipërisë dhe një femër kosovare – çift bashkëshortor, pas një mosmarrëveshje janë përleshur fizikisht në mes vete. Nuk raportohet për të lënduar, ndërsa me vendim të prokurorit, pas intervistimit të palëve rasti vazhdon në procedurë të rregullt,” deklaron policia.
Rastet e dhunës në familje vazhdojnë të mbeten shqetësuese në vend, ndërsa autoritetet bëjnë thirrje për raportim të menjëhershëm të çdo rasti të tillë./Pejanefokus.net.
