Me 23 korrik të këtij viti, Peja në Fokus publikoi në rrjetet sociale lajmin me titull: “Komuna e Pejës përzgjedh 40 përfitues të bizneseve ‘Start-Up’ – pa detaje për procesin”, ku u theksua se në njoftimin e Komunës së Pejës ishin publikuar vetëm emrat e 40 përfituesve, ndërsa nuk ishin dhënë informacione për fondin e ndarë, kriteret e përzgjedhjes, numrin e aplikimeve dhe natyrën e bizneseve që do të mbështeteshin.
Për këto çështje, Peja në Fokus i është drejtuar Komunës së Pejës me pyetje konkrete. Në përgjigjen e pranuar, Komuna ka dhënë sqarime për disa prej çështjeve të ngritura, ndërsa për disa nga pyetjet kryesore përgjigjet mbeten të përgjithshme dhe pa detaje të mjaftueshme.

Kliko këtu lajmin paraprak rreth rastit: https://www.facebook.com/photo?fbid=1691228856341701&set=a.359942399470360
Sipas përgjigjes së Komunës, për këtë thirrje kanë aplikuar gjithsej 73 biznese, ndërsa 40 prej tyre janë përzgjedhur si përfituese. Kjo nënkupton se 33 aplikues nuk janë përfshirë në listën e përfituesve.
Komuna ka bërë të ditur se fondi i përgjithshëm i ndarë për këtë thirrje është 60 mijë euro, ndërsa vlera maksimale e mbështetjes për një biznes është deri në 2 mijë euro.
Megjithatë, përgjigjja nuk sqaron se sa ka përfituar konkretisht secili nga 40 bizneset dhe nëse grantet janë ndarë në shuma të njëjta apo të ndryshme.
Bazuar në fondin e përgjithshëm prej 60 mijë eurosh dhe numrin prej 40 përfituesish, vlera mesatare do të ishte rreth 1,500 euro për biznes, në rast se i gjithë fondi ndahet mes tyre. Por Komuna nuk ka sqaruar nëse fondi është ndarë në mënyrë të barabartë, nëse disa biznese kanë përfituar më shumë se të tjerat, apo nëse shuma prej 60 mijë eurosh përfshin edhe mjete që nuk janë ndarë.
Sa i përket kritereve të përzgjedhjes, Komuna ka deklaruar se janë vlerësuar “idetë e biznesit më të mira dhe më inovative”.
Megjithatë, nuk janë dhënë detaje për kriteret konkrete të vlerësimit, mënyrën e pikëzimit, peshën që ka pasur secili kriter apo rezultatet e aplikuesve. Po ashtu, nuk është sqaruar se si është përcaktuar se një ide është më e mirë ose më inovative se një tjetër.
Komuna ka bërë të ditur edhe përbërjen e komisionit vlerësues. Sipas përgjigjes, komisioni është udhëhequr nga Sami Gashi, ndërsa anëtarë kanë qenë Shqipe Shala, Vyrtyt Morina, Egzon Bytyqi dhe Eli Lokaj, por krahas kësaj, Komuna nuk ka sqaruar funksionet që mbajnë ata, institucionet që përfaqësojnë apo kriteret mbi të cilat janë përzgjedhur si pjesë e këtij komisioni.
Lidhur me veprimtaritë e bizneseve përfituese, Komuna ka përmendur fusha si teknologjia, pajisjet e ndryshme të punës, prodhimi dhe shërbimet.
Megjithatë, përgjigjja nuk jep një ndarje më të detajuar të bizneseve sipas sektorëve dhe nuk tregon se cilat veprimtari konkrete do të mbështeten përmes këtyre granteve.
Ndërkaq, Komuna ka konfirmuar se gjatë procesit janë paraqitur 5 ankesa. Sipas saj, Komisioni i Ankesave u ka kthyer përgjigje ankuesve brenda afatit ligjor.
Por nuk është bërë e ditur se sa nga këto ankesa janë pranuar apo refuzuar, çfarë kanë pretenduar ankuesit dhe nëse shqyrtimi i tyre ka ndikuar në listën përfundimtare të 40 përfituesve.
Çfarë është sqaruar dhe çfarë mbetet e paqartë?
Nga përgjigjet e Komunës tashmë dihet se kanë aplikuar 73 biznese, janë përzgjedhur 40, fondi i përgjithshëm është 60 mijë euro, ndërsa mbështetja për një biznes mund të arrijë deri në 2 mijë euro. Po ashtu, janë bërë publikë anëtarët e komisionit vlerësues dhe është konfirmuar se janë paraqitur 5 ankesa.
Megjithatë, mbeten paqartësi për disa çështje që lidhen drejtpërdrejt me transparencën e procesit. Nuk dihet se sa ka përfituar secili biznes, si është ndarë fondi prej 60 mijë eurosh, cilat kanë qenë kriteret e detajuara dhe mënyra e pikëzimit, si janë renditur aplikuesit dhe cili ka qenë rezultati i pesë ankesave.
Përgjigjet e Komunës kanë sjellë më shumë informacion për procesin sesa njoftimi fillestar, por ende nuk ofrojnë një pasqyrë të plotë për mënyrën e vlerësimit të aplikimeve dhe ndarjen konkrete të mjeteve publike.
Kjo thirrje, sipas njoftimit ishte hapur në kuadër të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik, në Komunën e Pejës, e cila udhëhiqet nga drejtori Meriton Fetaj.
Peja në Fokus do të vazhdojë të kërkojë sqarime për këto çështje, në mënyrë që publiku të ketë një pasqyrë sa më të plotë për procesin e përzgjedhjes dhe mbështetjen e ndarë për bizneset fillestare. /Pejanefokus.net/Pejabiznes/
