Renovimi i palestrës “Karagaqi” në Pejë nis me probleme

Palestra “Karagaqi” në Pejë ka reaguar lidhur me punimet e renovimit në objekt, pasi sipas drejtuesve të saj, sot rreth orës 07:30 kompania kontraktuese ka hyrë në palestër dhe ka nisur demolimin e një pjese të objektit pa njoftuar paraprakisht përgjegjësit.

Sipas reagimit, punëtorët kanë hyrë përmes një dere e cila ishte me defekt dhe kanë nisur demolimin e pjesës ndërmjet kulmit dhe fushës së palestrës.

Reagimi në link:  https://www.facebook.com/share/p/1Gwa7unoLi/

Drejtori i palestrës është njoftuar nga punëtorët e saj dhe, sipas reagimit, ka ndërhyrë menjëherë duke kërkuar ndalimin e punimeve.

“Gjatë hyrjes në objekt, punëtorët e kompanisë filluan demolimin e pjesës ndërmjet kulmit dhe fushës së palestrës”, thuhet në reagim.

Drejtuesit e “Karagaqit” thonë se gjatë vizitave të zyrtarëve të Ministrisë së Sportit u kishin paraqitur problemet kryesore të objektit, veçanërisht kulmin që rrjedh gjatë reshjeve dhe sistemin e ngrohjes, por pretendojnë se këto nuk janë përfshirë në investimet e parapara.

Ata theksojnë se kishin paralajmëruar punëkryesit që pjesa ndërmjet fushës dhe kulmit të mos demolohej.

“Ju lutemi, mos e dëmtoni këtë palestër nën pretekstin e realizimit të investimeve”, thuhet në reagim.

Palestra thotë se për rastin janë njoftuar edhe KB Peja dhe Federata e Xhudos së Kosovës, të cilët kanë adresuar shqetësimet e tyre në Ministrinë e Sportit.

Drejtuesit e palestrës kërkojnë që para vazhdimit të punimeve të zhvillohet një takim me përfaqësuesit e Ministrisë, Komunës së Pejës dhe drejtuesit e “Karagaqit”.

“Për atë që ka ndodhur sot, dikush duhet të japë llogari dhe të përcaktohet përgjegjësia institucionale dhe individuale”, thuhet në reagim.

Ndryshe, siç kishte raportuar më herët “Peja në Fokus”, për renovimin e pjesshëm të Palestrës “Karagaqi” është nënshkruar kontratë në vlerë prej 275,251.60 euro.

Kliko lajmin paraprak në link:  https://pejanefokus.net/palestra-karagaqi-do-ti-nenshtrohet-renovimit-parashihen-mbi-275-mije-euro/

Kontrata është nënshkruar më 21 korrik 2026 ndërmjet Ministrisë së Sportit dhe Rinisë dhe grupit të operatorëve ekonomikë NBT-ING SH.P.K. dhe EURO CONSTRUCTION NNP SH.P.K.

Sipas dokumentacionit të publikuar, projekti përfshin renovimin e pjesshëm të palestrës, ndërsa afati i realizimit të kontratës është pesë muaj. Punimet financohen nga Buxheti i Konsoliduar i Kosovës. /Pejanefokus.net/Sport/

LEXO EDHE: