Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj personit me inicialet R.K. dhe një operatori ekonomik, nën dyshimin për keqpërdorim dhe mashtrim në prokurim publik dhe falsifikim të dokumentit.
Rasti lidhet me tenderin e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës për furnizim me libra të protokollit.
Sipas aktakuzës, R.K. dyshohet se gjatë pjesëmarrjes në këtë procedurë ka paraqitur dhe përdorur dokumentacion të rremë dhe të paautorizuar, përfshirë CV, kontratë pune dhe certifikatë universitare në emër të një personi tjetër.
Prokuroria pretendon se dokumentet janë përdorur me qëllim të ndikimit në vendimin e autoritetit kontraktues dhe përfitimit të kontratës.
“R.K. dyshohet se ka përpiluar një dokument të falsifikuar, përkatësisht një kontratë pune, me qëllim të përdorimit të saj si dokument origjinal në kuadër të procedurës së prokurimit publik”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Spitali: Operatori nuk e fitoi tenderin
Pas ngritjes së aktakuzës, Spitali i Përgjithshëm i Pejës ka dalë me sqarim, duke theksuar se nuk është subjekt i aktakuzës dhe se me operatorin ekonomik nuk ka lidhur kontratë.
Sipas Spitalit, operatori kishte dorëzuar ofertë në tender, por ajo ishte eliminuar pas procesit të vlerësimit.
“Oferta e tij është eliminuar si e papërgjegjshme, në përputhje me kriteret dhe kërkesat e përcaktuara në Dosjen e Tenderit dhe Njoftimin për Kontratë”, thuhet në sqarimin e Spitalit.
Spitali ka bërë të ditur se ka bashkëpunuar me organet hetimore dhe u ka ofruar dokumentacionin e kërkuar lidhur me procedurën.
Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Aktakuza përmban pretendimet e Prokurorisë dhe nuk përbën vendim përfundimtar të gjykatës. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
