QKMF-ja e Pejës, qe një muaj pa ashensor

Prej rreth një muaji, ashensori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Pejë është jashtë funksionit.

Objekti i QKMF-së përbëhet nga përdhesja dhe dy kate të tjera, ku ofrohen shërbime të ndryshme shëndetësore.

Në përdhesë ofrohen shërbime të mjekësisë primare, ndërsa në katin e dytë funksionojnë shërbime të tjera, përfshirë edhe pediatrinë.

Në katin e fundit është e vendosur administrata e këtij institucioni publik.

Mosfunksionimi i ashensorit po paraqe vështirësi për pacientët që kanë nevojë për shërbime në katet e sipërme, veçanërisht për të moshuarit, personat me vështirësi në lëvizje dhe prindërit me fëmijë.

Për këtë çështje, Peja në Fokus ka kërkuar përgjigje nga Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Pejës.

Drejtori i Shëndetësisë, Petrit Loci, e ka konfirmuar se ashensori është jashtë funksionit, duke thënë se fillimisht duhet të përfundojë procedura për kontratën e mirëmbajtjes.

“Po, është jashtë funksionit. Së pari duhet kryer një kontratë për mirëmbajtje dhe pastaj operatori i zgjedhur ta kryej mirëmbajtjen e rregullt. Këtë javë kryhen të gjitha planifikimet për kontrata në vitin pasues”, ka thënë Loci.

Sipas tij, pas përfundimit të procedurave dhe përzgjedhjes së operatorit, do të mund të kryhet mirëmbajtja e ashensorit.

Megjithatë, nga Drejtoria e Shëndetësisë nuk është bërë e ditur se kur konkretisht pritet që ashensori të rikthehet në funksion.

Deri atëherë, pacientët që kanë nevojë për shërbime në katet e sipërme të QKMF-së duhet të përdorin shkallët. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/

 

LEXO EDHE: