Instituti GAP ka publikuar raportin “Indeksi i Transparencës Buxhetore të Komunave 2025”, sipas të cilit Komuna e Pejës ka grumbulluar 42 pikë nga 100 të mundshme, duke u renditur në mesin e komunave me nivel të ulët të transparencës buxhetore.
Në renditjen e përgjithshme, Peja ndodhet në vendin e 27-të nga 38 komuna, ndërsa rezultati i saj është dukshëm nën mesataren kombëtare prej 64.5 pikësh.

Sa i përket komunave të rajonit të Pejës, Deçani dhe Juniku kanë arritur rezultatin maksimal prej 100 pikësh, ndërsa Istogu ka grumbulluar 89.5 pikë. Në anën tjetër, Peja me 42 pikë renditet më poshtë se të gjitha komunat e tjera të rajonit.
Renditja e komunave të rajonit të Pejës është:
- Deçani – 100 pikë
- Juniku – 100 pikë
- Istogu – 89.5 pikë
- Peja – 42 pikë
Sipas klasifikimit të GAP-it, rezultati prej 42 pikësh e vendos Pejën në kategorinë e komunave me transparencë të ulët buxhetore.
Në nivel vendi, 10 komuna kanë arritur rezultatin maksimal prej 100 pikësh, ndërsa gjashtë komuna nuk kanë grumbulluar asnjë pikë. Mesatarja kombëtare këtë vit ka qenë 64.5 pikë, krahasuar me 61 pikë në vitin 2024.
Indeksi vlerëson publikimin e dokumenteve buxhetore, raporteve financiare, dokumenteve për planifikimin e buxhetit, rregulloreve për ndarjen e subvencioneve dhe elementeve të tjera që lidhen me transparencën dhe qasjen e qytetarëve në informacionet buxhetore.
Pra, sipas këtij raporti, Peja jo vetëm që mbetet nën mesataren e Kosovës, por renditet edhe e fundit në mesin e katër komunave të rajonit të saj. /Pejanefokus.net./Ju flet Peja/
Kliko burimin e informacionit në link: https://www.institutigap.org/lajme/3652?fbclid=IwY2xjawTesahleHRuA2FlbQIxMQBzcnRjBmFwcF9pZBAyMjIwMzkxNzg4MjAwODkyAAEeLEcWhiLpJkmmUpEXEYm793J54UCU2l_gj-C3H9HHJkcAk432YIDLEOTsUJI_aem_561oggLv8UE3AfHnu8p4XA
