Një grup alpinistësh, gjatë qëndrimit në zonën e Gjeravicës, pranë “Liqenit të Zemrës”, dyshohet se është penguar gjatë rrugëtimit dhe është përballur me kërcënime nga një person i pranishëm në atë zonë.
Sipas raportimeve të datës 20 shtator 2026, gjatë rastit janë përdorur edhe fjalë kërcënuese, përfshirë “Ju pres në fyt”.
Për rastin ka reaguar edhe kryetari i Junikut, Ruzhdi Shehu, i cili ka thënë se personi nuk është banor i Junikut dhe se është kërkuar ndërhyrja e institucioneve.
Tash ka reaguar edhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit, e cila ka kërkuar informacione nga Policia e Kosovës dhe Komuna e Junikut për sqarimin e plotë të rrethanave.
Ministria ka theksuar se destinacionet turistike duhet të jenë të qasshme për qytetarët dhe vizitorët, duke respektuar sigurinë dhe rregullat për të gjithë.
Nga ana tjetër, lidhur me rastin, deri më tani nuk është parë ndonjë reagim publik, nga institucionet e rendit dhe sigurisë. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
