Prindër të nxënësve të shkollës fillore “Tete Marsi” në Pejë kanë adresuar te Peja në Fokus shqetësimin lidhur me kërkesën për pagesën prej 20 eurosh për fëmijë, për shërbimin e sigurimit në shkollë.
Sipas mesazheve që u janë përcjellë prindërve pas mbledhjes së Këshillit të Prindërve, është vendosur që në shkollë të shërbejnë dy persona të sigurimit, ndërsa pagesa për një fëmijë të jetë 20 euro për tërë vitin shkollor.
Pagesa, sipas njoftimeve të shpërndara, mund të bëhet në dy këste nga 10 euro.
Në njoftime thuhet se fëmija i tretë e tutje lirohet nga pagesa, ndërsa të liruar nga pagesa janë edhe fëmijët nga familjet me asistencë sociale dhe fëmijët me nevoja të veçanta.
Në njërin prej njoftimeve thuhet gjithashtu se është bërë kërkesë që një person i sigurimit të paguhet nga Komuna, por se ende nuk dihet nëse kjo do të realizohet.
Prindërit që kanë kontaktuar redaksinë thonë se përfaqësuesit e klasave, të cilët kanë marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit të Prindërve, nuk i kanë konsultuar paraprakisht prindërit për këtë pagesë. – Sipas tyre, as pas mbledhjes nuk ka pasur konsultim të gjerë me prindërit, vetëm se atyre u ëshët kumtuar se tashmë ajo gjë është vendosur.
Drejtoresha: Nuk është kërkesë e shkollës
Drejtoresha e shkollës “Tete Marsi”, Leonora Shoshi, ka thënë për Peja në Fokus se vendimi nuk është marrë nga drejtoria e shkollës.
“Kërkesa është nga vetë prindërit, ku Këshilli i Prindërve ka mbajtur takim dje me Këshillin Drejtues të Shkollës dhe kanë sjellë vendim. Nuk është kërkesë e drejtorisë”, ka deklaruar Shoshi.
Sipas saj, në këtë vendim nuk janë të përfshira as drejtoria e shkollës dhe as Drejtoria Komunale e Arsimit.
Shoshi ka thënë se Këshilli i Prindërve është zgjedhur javën e kaluar me vullnetin e prindërve dhe se, për vendimet e marra, duhet të kontaktohet vetë Këshilli.
Ajo ka bërë të ditur se shkolla ka rreth 1,000 nxënës, ndërsa, sipas informatave që ka marrë nga takimi i Këshillit të Prindërve, vetëm rreth 50 për qind e nxënësve pritet të paguajnë, për shkak se të tjerët implikojnë me kategorit e përjashtuara nga pagesa, si raste sociale e të ngjashme.
Sa i përket qëndrimit të shkollës ndaj këtij vendimi, Shoshi ka thënë se ende nuk ka mbajtur takim me Këshillin e Arsimtarëve.
“Këshilli Drejtues i Shkollës dhe Këshilli i Prindërve janë marrë me këtë çështje”, shtoi Shoshi.
DKA kishte deklaruar më herët se prindërit nuk janë të obliguar të paguajnë
Peja në Fokus ka raportuar edhe më herët për çështjen e pagesave të kërkuara nga prindërit në shkollat e Pejës.
Kliko këtu video-prononcimin e drejtorit Naser Gega: https://www.facebook.com/share/v/1BJBf63HBE/
Muaj më parë, mediumi ynë raportoi për kërkesa për pagesa deri në 8 euro për dëftesat, çështje për të cilën kishte pasur ankesa nga prindërit.
Në atë kohë, drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega, në deklarime për Peja në Fokus, kishte thënë se shkollat nuk guxojnë t’u kërkojnë para prindërve dhe se prindërit nuk janë të obliguar të paguajnë për shkollat, përveç rasteve kur ata vetë dëshirojnë të ndërmarrin ndonjë iniciativë.
Kliko lajmin paraprak rreth rastit në link: https://pejanefokus.net/8-euro-per-deftesat-ne-8-marsi-prinderit-kerkojne-sqarime/
Ky qëndrim i mëhershëm i DKA-së rikthen në vëmendje çështjen se në çfarë forme është vendosur pagesa prej 20 eurosh në “Tete Marsi” dhe nëse ajo është vullnetare apo paraqitet si detyrim për prindërit.
Në pritje të Këshillit të Prindërve
Peja në Fokus ka kontaktuar edhe kryetarin e Këshillit të Prindërve, Faik Zekaj, duke i kërkuar të konfirmojë nëse vendimi për pagesën prej 20 eurosh është marrë nga Këshilli, nëse pagesa është e detyrueshme apo vullnetare dhe nëse prindërit janë konsultuar për këtë vendim.
Deri në publikimin e këtij raportimi, Zekaj nuk ka kthyer përgjigje.
Peja në Fokus do ta publikojë edhe qëndrimin e Këshillit të Prindërve nëse pranon përgjigje lidhur me këtë çështje./Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
