8 euro për dëftesat e nxënësve në shkollën ‘8 Marsi’ në Pejë

Prindër të nxënësve nga klasat e nënta në SHFMU “8 Marsi” në Pejë kanë ngritur shqetësime lidhur me një pagesë prej 8 eurosh, e cila u është kërkuar në fund të vitit shkollor.

Peja në Fokus ka siguruar një njoftim të shpërndarë në grupet e prindërve, ndërsa disa prej tyre pretendojnë se pagesa është paraqitur si kusht për marrjen e dëftesave dhe se nuk kanë marrë asnjë vendim apo dokument zyrtar që shpjegon arsyen e saj.

Njëra nga prindërit, Fatime Kurtaj, ka deklaruar se përfaqësuesja e klasës së saj, e cila është pjesë e Këshillit të Prindërve, nuk ka qenë e informuar për këtë vendim.

“Fillimisht përfaqësuesja e klasës tonë që bën pjesë në këtë këshill nuk ka qenë e informuar për këtë vendim, e rrjedhimisht as ne nuk kemi qenë. Ata po e arsyetojnë veten se bordi e ka marrë këtë vendim”, ka thënë Kurtaj.

Ajo ka shtuar se prindërit kanë kontribuar edhe më herët për dëme në shkollë, por këtë herë, sipas saj, nuk kanë marrë asnjë dokument zyrtar.

“Sa herë na është kërkuar kemi kontribuar, edhe më herët kemi paguar për dëme. Ne nuk kemi marrë asnjë dokument ose vendim zyrtar për këtë vendim. Me dhënë para e mos me pas asnjë dokument për çka po paguaj, nuk bën. Kjo nuk është shkollë private, por publike. Ne paguajmë taksa”, është shprehur ajo.

Kurtaj ka pretenduar gjithashtu se pagesa është lidhur me marrjen e dëftesës.

“Ne 8 euro i kemi paguar në drejtorinë e shkollës. Qysh guxon dikush me i thënë fëmijës nuk ta jap dëftesën pa i paguar 8 euro?”, ka deklaruar ajo.

Shkolla: Vendimi është marrë nga Këshilli i Prindërve

Pas interesimit të Peja në Fokus, ka reaguar edhe drejtoresha e SHFMU “8 Marsi”, Leonora Shoshi.

Ajo ka bërë të ditur se vendimi nuk është marrë nga drejtoria apo mësimdhënësit, por nga Këshilli i Prindërve, pas vlerësimit të dëmeve të shkaktuara në inventarin e shkollës.

“Këshilli i Prindërve të shkollës ka marrë një vendim lidhur me dëmet e shkaktuara nga nxënësit në inventarin e shkollës. Vlerësimi i këtyre dëmeve është bërë nga vetë prindërit dhe vendimi është marrë nga përfaqësuesit e tyre”, thuhet në përgjigjen e saj.

Shoshi ka theksuar se “nxënësit nuk penalizohen në asnjë mënyrë”, duke shtuar se bëhet fjalë për një kontribut të vendosur nga prindërit për kompensimin e dëmeve të shkaktuara.

Ajo ka shtuar se lidhur me këtë çështje kanë qarkulluar, sipas saj, dezinformata dhe ka ftuar që për çdo paqartësi të kërkohen informata zyrtare nga organet e shkollës.

Këshilli i Prindërve: Pagesa bëhet për dëmet në shkollë

Kryetari i Këshillit të Prindërve të SHFMU “8 Marsi”, Faik Zekaj, ka konfirmuar se vendimi për pagesën është marrë nga ky këshill.

Sipas tij, vendimi ka ardhur pas ankesave të mësimdhënësve për dëme të shumta të shkaktuara nga nxënësit e klasave të nënta.

Ai ka bërë të ditur se praktika zbatohet prej tre ose katër vitesh dhe se shuma nuk është fikse, por përcaktohet në bazë të vlerës së dëmeve të shkaktuara gjatë vitit shkollor.

Sipas Zekajt, dëmet vlerësohen nga një komision i përbërë nga një anëtar i Këshillit të Prindërve, një profesor dhe një teknik i shkollës, ndërsa më pas vlera e përgjithshme ndahet me numrin e nxënësve.

Ai ka thënë se vitin e kaluar shuma nuk ka qenë 8 euro, por nuk i kujtohet vlera e saj.

I pyetur pse pagesa u kërkohet edhe nxënësve që nuk kanë shkaktuar dëme, Zekaj ka deklaruar se klasat e nënta trajtohen si një tërësi, pasi ka pasur raste kur janë shkaktuar dëme, por nuk është identifikuar personi përgjegjës.

Ai ka pranuar gjithashtu se gjatë vitit shkollor prindërit kanë paguar edhe për dëme të tjera të shkaktuara në shkollë.

Ndërsa lidhur me pretendimet se pagesa është kusht për marrjen e dëftesave, Zekaj ka thënë se nuk e konsideron si të tillë, por si zbatim të një vendimi të Këshillit të Prindërve.

DKA: Pagesa mund të kërkohet vetëm me vendim të Këshillit të Prindërve

Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Pejë, Naser Gega, ka deklaruar për Peja në Fokus se një pagesë e tillë mund të kërkohet vetëm nëse ka vendim të Këshillit të Prindërve.

“Vetëm një mundësi është me kërku pare prej prindërve. Nëse Këshilli i Prindërve të shkollës ka vendos për me kërku diçka, se drejtoresha nuk vendos në këto raste”, ka thënë Gega.

I pyetur se çfarë ndodh nëse prindërit nuk e bëjnë pagesën, ai ka deklaruar se nuk beson që nxënësit do të penalizohen.

“Nuk besoj që shkon deri në atë pikë. Në fund kush i jep, i jep, kush nuk i jep e tejkalojnë si problem”, ka thënë ai.

Sipas Gegës, raste të tilla zakonisht lidhen me dëme të shkaktuara në shkolla.

Edhe pas sqarimeve të dhëna nga shkolla, Këshilli i Prindërve dhe Drejtoria Komunale e Arsimit, disa prindër vazhdojnë të kërkojnë më shumë transparencë lidhur me mënyrën e marrjes së vendimit dhe dokumentacionin që e mbështet atë. /Ju flet Peja/Pejanefokus.net 

LEXO EDHE: