Pas raportimit të “Peja në Fokus” më 27 korrik për rastin e një qytetari nga Bogë e Rugovës, i cili pretendoi se lopa e tij kishte ngordhur si pasojë e kontaktit me kabllo elektrike, ka ardhur reagimi nga KEDS.
Kompania ka bërë të ditur se është informuar për rastin dhe se ekipet e saj kanë dalë në terren, ku kanë hapur procesverbal dhe kanë konstatuar gjendjen në vendngjarje.
Kliko këtu për të lexuar lajmin paraprak rreth këtij rasti: https://pejanefokus.net/qytetarit-i-ngordh-lopa-ne-boge-pretendohet-per-goditje-nga-rryma/
Sipas KEDS-it, pas inspektimit janë ndërmarrë masa të menjëhershme duke shtrënguar përçuesit ekzistues, ndërsa është planifikuar edhe zëvendësimi i tyre me kabllo të reja 4×35 mm² Al, si dhe vendosja e një shtylle për përmirësimin e rrjetit në atë pjesë.
KEDS ka bërë të ditur se rasti është ende duke u trajtuar dhe se do të përpilojë një raport me të gjitha konstatimet.
“Nëse, pas shqyrtimit të rrethanave dhe gjetjeve, konsiderohet se kërkesa është e bazuar, do të fillojmë procedurat për takim me palën dhe shqyrtimin e mundësisë për kompensim të dëmit”, thuhet në përgjigjen e kompanisë.
Ndërkohë, lidhur me deklarimin e qytetarit Avni Kelmendi se më herët kishte kërkuar ndërhyrje për kabllot, KEDS ka sqaruar se nuk ka pasur kërkesë apo raportim paraprak nga konsumatori për atë pjesë të rrjetit elektrik.
Rasti do të vazhdojë të trajtohet nga KEDS, ndërsa epilogu përfundimtar pritet pas përfundimit të shqyrtimeve. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/
