Qytetarit i ngordh lopa në Bogë, pretendohet për goditje nga rryma

Një qytetar nga fshati Bogë i Rugovës ka raportuar për ‘Peja në Fokus’ një rast, ku pretendon se njëra nga lopët e tij ka ngordhur si pasojë e kontaktit me kabllo elektrike të rëna në tokë.

Avni Kelmendi ka dërguar fotografi nga vendi i ngjarjes, duke thënë se kafsha ishte duke kullosur kur ka pësuar nga rryma elektrike.

Sipas tij, ai më herët ka kërkuar ndërhyrje nga KEDS-i për eliminimin e kabllove dhe rregullimin e tyre, si dhe sipas tij, ekipet e tyre kanë dalë në terren, por gjithnjë sipas tij, nuk e kanë vlerësuar situatën si rrezik.

E tani, asi ky rast ka ndodhur, ai ka bërë të ditur se lidhur me dëmin e pretenduar do të kërkojë kompensim nga KEDS-i, ndërsa ka sqaruar se deri tani nuk ka paraqitur ankesë zyrtare me shkrim.

‘Peja në Fokus’ ka kontaktuar KEDS-in lidhur me këtë rast dhe ka kërkuar sqarime nga kompania për pretendimet e qytetarit, ndërsa përgjigjja e tyre do të publikohet sapo të pranohet.

Deri në marrjen e një përgjigjeje zyrtare, rrethanat e plota të rastit mbeten për t’u sqaruar. /Pejanefokus.net/Ju flet Peja/

LEXO EDHE: